Ferat Shala premton angazhim të fuqishëm për zhvillim ekonomik dhe fond për punëtorët që humbin vendin e punës
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 7 min.
3 orë më parë
Linku u kopjua
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala premton se do të angazhohet fuqishëm për të krijuar infrastrukturë ligjore që mundëson zhvillim më të hovshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik në vend.
Me një përvojë shumëvjeçare nga e kaluara në fushën e ekonomisë, Shala zotohet se do të kontribuojë në krijimin e politikave më të mira fiskale si dhe në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Shala mban numrin 16 në listën e kandidatëve për deputetë në PDK.
Kritika ka për Qeverinë Kurti, për të cilën thotë se ka dështuar të cojë përpara zhvillimin e vendit. Shala thekson se programi i PDK-së është i orientuar drejt krijimit të një ekonomie të qëndrueshme, duke ofruar zgjidhje për problemet që janë lënë pas dore viteve të fundit nga qeveria aktuale.
Ai thotë se synojnë një politikë fiskale të shkëlqyer që do të ndihmojë bizneset dhe për një pako që do të favorizojë rritjen e pagave për shumë kategori punonjësish, përfshirë ata të arsimit, shërbimeve civile, si dhe veteranët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve.
Në programin e PDK-së janë paraparë po ashtu 6 miliardë euro investime kapitale.
“Programi ka bazë, parim ekonominë e qëndrueshme, është program ekonomik që iu jep zgjidhje të gjitha problemeve të cilat tash e pesë vite nuk i kemi parë. Nuk i kemi parë investimet strategjike, nuk i kemi parë ndërmarrjet duke përformuar natyrshëm, bizneset. Kemi në program një politikë të shkëlqyeshme fiskale që e lehtëson mënyrën e të bërit biznes, dhe një paketë e tëre fiskale që favorizon dhe e ndihmon mënyrën e të bërit biznes. Programi i jep zgjidhje edhe problemeve sociale, kategorive të dala nga lufta, veteranëve, invalidëve edhe familjeve të dëshmoreve. Programi iu jep zgjedhje edhe punëtorëve të arsimit me ngritje pagash, zjarrfikësve, punëtorëve të sigurisë, administratës dhe shërbyesve civilë. Po ashtu programi iu jep zgjidhje meritore të gjitha kategorive tjera, të pensionistëve dhe kemi ngritje pagash nga 50 deri në 70 për qind. Po ashtu programi ka një paketë të tërë për të rinjtë, gjegjësisht për studentët, ku çdo vit do të kemi 25 milionë euro të ndara për studentët të cilët do të studiojnë brenda dhe jashtë vendit. Do të ketë nga 100 euro për secilin fëmijë të dërguar në çerdhet private... Programi ka një paketë të gjerë prej 6 miliardë eurosh investime kapitale... Programi do të zgjidh përfundimisht çështjen e furnizimit me energji elektrike... Do të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, investitorët strategjikë që të kthejmë Kosovën në një vend të sigurt ekonomikisht”, thotë Shala.
Lehtësimi i procedurave juridike dhe administrative për bizneset, si dhe rehabilitimin e stabilizimin legjislativ, thotë së do të jenë prioritet e tij si deputet.
“Nuk do të ndahem nga kontributi, përkushtimi im si deputet i ardhshëm në sferën e ekonomisë, në mënyrën dhe lehtësimin e të gjitha procedurave juridike dhe administrative për bizneset e sektorit privat dhe publik. Do të jem pranë sektorit të ekonomisë, ndërmarrësisë dhe industrisë. Do të jap kontribut edhe me nisma, do të bëjmë rehabilitimin dhe stabilizimin legjislativ, sepse kemi disa ligje që janë stopuar apo nuk janë miratuar konform kërkesave të ekonomisë së tregut. Do t’i rikthejmë në normalitet rregullatorët e ekonomisë dhe industrisë siç është KPMM, ZRRE, pastaj ndërmarrjet publike, KOSTT. Dhe, do të jem shumë afër ndaj disa institucioneve tjera siç është Autoriteti i Konkurrencës e me radhë, në mënyrë që të funksionalizojmë funksionimin e ndërmarrjeve publike, shërbyese dhe gjithë rregullatorëve tjerë ekonomikë”, thekson Shala.
Shala flet edhe për Qeverinë Kurti, për të cilën thotë se nuk ka asnjë projekt që mund të krenohet me të. Ndërsa, kritikon platformën Superpuna, duke e cilësuar si një dështim të plotë që ka lënë shumë pyetje të pazgjidhura rreth shpenzimeve dhe përfituesve nga ky projekt. Sipas tij, Ministria e Financave ka dështuar edhe në ekzekutimin e mjeteve me kohë për gjithë përkundër aplikimit të tyre.
“Fatkeqësisht, Superpuna është një projekt i dështuar, manipulativ i cili len shumë për të dëshiruar në kuptimin juridik. Konsideroj se këtu duhet kurdo që i vjen momenti, pushteti është normal i stabilizuar jashtë nga këto ndikimet politike, duhet të jap llogari, sepse askush nuk e dinë sa janë shpenzuar me projektin e Superpunës, kush janë realisht përfituesit, a kanë përfituar në mënyrë të ligjshme dhe meritore, dhe gjithë ata që kanë marrë mjetet i kanë merituar. Por, fatkeqësia është që është bërë shkelje flagrante e Ligjit të punës, shërbyesve civilë, Ligjit të menaxhimit të financave publike dhe gjithë zinxhirit tjetër administrativ... Dhe, sot ministria përgjegjëse nuk është në gjendje as ta implementojë deri në fund të mandatit. Sot njerëzit nuk i kanë marrë mjetet përkundër aplikimit të tyre, po vonohet implementimi i ndarjes së mjeteve pikërisht për shkak të shkeljeve ligjore që janë bërë në hapat më të hershëm proceduralë dhe administrativë... Përtej kësaj, kemi një qeveri që po e mbyll mandatin dhe nuk e ka asnjë projekt që mund të krenohet më të, sot ndërmarrjet publike janë si kurrë më keq. Energjia elektrike është më shtrenjt, importi është rritur si kurrë më parë në raport me eksportin, nuk ka investime kapitale”, nënvizon Shala.
Për t'i mbështetur qytetarët që mund të humbin vendet e punës, Shala premton se në kuadër të programit të PDK-së do të krijohet një fond i veçantë për mbështetje financiare për punonjësit që janë në rrezik humbjeje të punës, duke ofruar deri në rreth 70 apo 80 përqind të pagës për një periudhë 6-10 muajsh. Sipas tij, kjo do t’u mundësojë atyre që të gjejnë mundësi punësimi të tjera pa ndikuar negativisht në ekonominë e tyre familjare.
“Tashmë në kuadër të programit të PDK-së të gjithë ata që mund të humbin vendin e punës e kanë një siguri shtesë nga shteti ku për gjashtë deri në dhjetë muaj do të marrin rreth 70 apo 80 për qind të pagës të cilën e kanë pasur në muajin e fundit. Do të kenë këtë hapësirë që të bëjnë zgjidhje tjera optimale në raport me kushtet e tyre, pa u shqetësuar dhe rrezikuar ekonomia familjare e tyre apo të hyrat familjare. Pra, ka fond të veçantë për ata që mund të humbin vendin e punës. Pastaj do të favorizojmë bizneset që sektori privat të ngrisë edhe nivelin e pagave duke i liruar deri në 400 euro gjithë ndërmarrësit dhe punëtorët që kanë pagë deri në 400 euro, nuk do të tatimohen në paga, do të kemi një tatim të shkallëzuar deri në 800 e mbi 800. Kështu të gjitha këto janë lehtësira që sektori privat do të favorizohet”, shprehet Shala.
Fushata për zgjedhjet e parlamentare në Kosovë ka filluar më 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt.