Asambleja Komunale e Prishtinës me 22 vota pro dhe 8 abstenime ka zgjedhur kandidatin e pavarur, Fehmi Kupina për kryesues të Kuvendit Komunal të kryeqytetit, pas dy raundeve të dështuara.
Këtë pozitë, Kupina po e merr për herë të dytë, për çka u zotua se do të vazhdojnë të punojmë me seriozitet dhe përkushtim maksimal për të mirën e përgjithshme publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Përfaqësuesja nga Lëvizja Vetëvendosje, Nora Kelmdni tha se pas dështimit në raundin e dytë për emërimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, do të vazhdojnë me raundin e tretë.
Ajo tha se në votimin e tretë, zgjidhet kandidati i cili merr më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të kuvendit të pranishëm dhe që votojnë për propozimin në mbledhjen e kuvendit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për emërimin e kryesuesit të kuvendit të kryeqytetit, mungojnë 21 asambleistë, duke përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila kërkoi që kjo seancë të shtyhet për 30 minuta. Kjo shkaktoi debate mes asamblistëve, porse procesi po vazhdon.
Ndërkaq, në raundin e parë me 20 vota për dhe 10 abstenime dështoi përzgjedhja e kandidatit të pavarur, Fehmi Kupina për kryesues të Kuvendit të Prishtinës. Derisa, raundi i dytë dështoi me 21 vota për dhe 9 abstenime.
Më 27 shkurt, me 33 vota pro është shkarkuar kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci.
Votimi për shkarkimin e tij erdhi pas prishjes së koalicionit në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe LDK-së në kryeqytet.