Federata e MMA e Kosovës shënon debutim historik në Kampionatin Europian të MMA-së në Greqi
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Federata e MMA e Kosovës shënon debutim historik në Kampionatin Europian të MMA-së në Greqi
0bb26ffd-3737-401b-862a-b9000bc9e01b (1)
03/05/2026 - 10:46
Linku u kopjua

Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës (FAMMK) ka shënuar një moment historik për sportin kosovar, duke marrë pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian të MMA-së, të organizuar nga Global Association of Mixed Martial Arts (GAMMA) në Loutraki, Greqi, nga data 28 prill deri më 2 maj 2026.

Ky kampionat mblodhi mbi 250 sportistë nga e gjithë Europa, duke sjellë në arenë disa prej garuesve më të mirë të arteve mikse marciale në kontinent. Për Kosovën, kjo pjesëmarrje përfaqëson një hap historik në zhvillimin e MMA-së dhe një moment të rëndësishëm për afirmimin ndërkombëtar të sportistëve tanë.

Debutimi i Kosovës në Kampionatin Evropian të MMA-së u kurorëzua me tri medalje evropiane — një të argjendtë dhe dy të bronzta — një sukses i jashtëzakonshëm që shënon fillimin e një kapitulli të ri për Federatën e Arteve Mikse Marciale të Kosovës dhe për sportin e MMA-së në vend.

Kosova u përfaqësua me një delegacion prej 10 garuesve, ku 5 ishin juniorë dhe 5 seniorë, të cilët treguan nivel të lartë sportiv, disiplinë dhe shpirt garues në debutimin e parë të shtetit tonë në këtë ngjarje madhore evropiane.

Rezultati më i mirë erdhi nga Ermal Berisha, sportist i klubit 038 Fight Club, i cili në kategorinë -70 kg fitoi medaljen e argjendtë, duke u shpallur nënkampion i Evropës. Berisha zhvilloi një rrugëtim mbresëlënës drejt finales, duke regjistruar dy fitore të rëndësishme, por për shkak të një prerjeje serioze në vetull nuk u lejua nga stafi mjekësor të vazhdonte garimin në finalen e madhe.

Një tjetër sukses i rëndësishëm për Kosovën erdhi nga Ylli Rexhaj, sportist i klubit Prizreni MMA Center, i cili fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -80 kg, duke dëshmuar cilësi të lartë sportive dhe përgatitje të shkëlqyer në konkurrencën seniore.

Në kategorinë e të rinjve, Muhamed Kashtanjeva, sportist i klubit MMA05 nga Ferizaji, fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -58 kg, duke sjellë një tjetër rezultat të madh për delegacionin kosovar dhe duke konfirmuar potencialin e madh që posedon gjenerata e re e MMA-së në Kosovë.

Nënkryetari i Federatës së Arteve Mikse Marciale të Kosovës, Lirim Bllaca, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e sportistëve, duke vlerësuar përkushtimin dhe performancën e tyre në debutimin historik të Kosovës në skenën evropiane. Ai gjithashtu përgëzoi punën profesionale të trajnerëve Arian Havolli dhe Visar Shala, duke theksuar se angazhimi i tyre ishte një faktor i rëndësishëm në rezultatet e arritura nga ekipi.

Kjo paraqitje historike dëshmon se Kosova ka talent, cilësi dhe potencial për të konkurruar denjësisht në skenën evropiane dhe ndërkombëtare të arteve mikse marciale.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026