Qindra qytetarë nga gjitha vendet e Kosovës kanë përkujtuar 25-vjetorin e masakrës në Reçak duke vendosur kurora lulesh pranë 45 të vrarëve e të masakruarëve nga forcat policore serbe. Ndërsa, nga Kompleksi Memorial në Reçak të njëjtit kanë bërë thirrje për drejtësi dhe kanë kërkuar nga institucionet që të punojnë në këtë drejtim pasi sipas tyre kanë kaluar shumë vite dhe ende nuk ka të burgosur për këto krime.
Të shumtë janë ata që humbën familjarë në këtë masakër. Qytetarja, Remzie Bardhi nga fshati Magure, e cila ka humbur djalin e vëllait kujton ditën kur mori lajmin për humbjen e tij.
Ajo është shprehur falënderuese përherë ndaj ish-ambasadorit, William Walker për jehonën ndërkombëtare që i bëri kësaj masakre.
E koha e sotme, ia kujton 15 janarin e vitit 1999-të, Aziz Beqirit, të mbijetuarit të kësaj masakre.
Beqiri derisa falendëron Walker, kërkon nga shteti të punojë më shumë për zbardhjen e krimeve.
Se shpesh të rënët për liri po harrohen nga shteti e thotë, Halil Krasniqi babë i dy djemve dëshmorë.
Edhe qytetari, Rexhep Merturi i cili ka ardhur nga qyteti i Klinës për vizitë në Kompleksin Memorial, shprehet i zhgënjyer me shtetin që sipas tij, nuk ka bërë mjaftueshëm për të rënët për liri.
Në Kompleksin Memorial në Reçak, homazhe kanë bërë edhe krerët e shtetit bashkë me ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker./E. Krasniqi