Në mesin e një dhimbjeje të madhe, familja Muçaj hapi dyert për Top Channel duke rrëfyer pengjet, ëndrrat e djalit të saj dhe të pathënat e tragjedisë më të rëndë që ka pësuar e gjithë zona dhe qytetit të Durrësit, vitet e fundit.
“Ikja, lëvizja, tani më preu krahët. Këto ditë i kaloj se kur dal në çdo cep më duket sikur më thërret: ‘o babi, po pse s’më merr?’. Do vij o babi, i them, do vij. Kështu që s’kam komente. Çfarë të them më? Flas, kudo në çdo cep e shoh, më del. ‘Pse s’më merr babi?!’, më thotë. Do vij, i them. Vetëm më thërret”, u shpreh babai Ermal Muçaj.
Enea kishte shumë ëndrra. Ishte shumë entuziast pasi këtë të premte do të shkonte me klasën në Vlorë, por…
Veç pasionit për futbollin, ai projektonte të ardhmen e tij pranë të atit, për t’u bërë krah i fortë i familjes.Por kjo ëndërr u këput në mes nga një aksident që sipas familjarëve ishte i paralajmëruar, po jo i parandaluar. Babai denoncon neglizhencën e institucioneve, ndërsa denoncimet e vazhdueshme të tyre për autorin e dyshuar ranë në vesh të shurdhër.
“Nuk ia kam pasur borxh njeriut edhe nuk e di. Nuk e di se si… do ishte parandaluar me 100 firma. Kishim muaj, muaj e muaj që merrnim tabulatet, telefonatat nga gjithë banorët e lagjes. Edhe policia vinte, qeshte… një gjë qesharake”, tha ai.
Institucioneve do t’u thoshim: në rrugë s’po na i lini të kalojnë kalamajtë, në trotuar po na i shtypni. Tashti parqe s’keni bërë. Ku mund t’i lëmë fëmijët? Vetëm këtë të na thonë, se ku mund t’i lëmë?…”, u shpreh i ati.
“Gjyshe jam po mezi e kam rritur. Edhe më iku çuni, 13 vjeç tani… çfarë të them, siç më sheh. Mezi qëndroj në këmbë. Vetëm e keqja se duhet durim. Durim djali, do durim nusja. Ne jemi gjyshër, po këta janë prindër. Edhe kështu që… do bëj durim, po është dhimbje shumë e fortë”, tha gjyshja.
Sot, e vetmja forcë që e mban në këmbë këtë familje janë dy fëmijët e tjerë.
Ndërsa familja Muçaj dhe Nikolli, fqinjë prej një jete, kërkojnë forcë tek të gjallët, drejtësia mbetet e vetmja kërkesë që mund t’i japë pak paqe kujtimit të Eneas dhe Klesit, si dhe të merren masa konkrete për të parandaluar tragjedi të tjera në këto rrugë.