Fahrije Hoti: Ministri i Bujqësisë duhet të kërkojë falje publike
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Fahrije Hoti, udhëheqësja e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, ka thënë se ministri i Bujqësisë, Faton Peci duhet të kërkojë falje publike ndaj saj dhe gjitha grave të Krushës siç tha ajo “për njollosje të emrit dhe shpifje".
Në një konferencë për media ajo ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ftesë nga gjykata.
Më 21 nëntor, Peci ka shkruar në Facebook se “në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë e ka paditur Kooperativën Bujqësore ‘KRUSHA’ dhe i ka kërkuar kthimin e 17.800 eurove që i kishin fituar si grant”.
Të hënën Hoti ka thënë se nga viti 2015 kanë aplikuar që të marrin përkrahje nga shteti mirëpo sipas saj deri sot nuk kanë pasur.
Ndërkaq, më 23 nëntor, Peci ka shkruar se “në vitin 2019, në kohën e koalicionit PAN dhe Qeverisë Haradinaj, i refuzohet aplikimi për grant Kooperativës Bujqësore KRUSHA”.
Reagimet e Pecit janë bërë pasi në media është raportuar se familjarët e deputetes Fitore Pacolli kanë përfituar grante, ndërkaq i është refuzuar Kooperativës “Krusha”.
Fahrije Hoti ka thënë se presin nga zyra e ministrit takim më mënyrë që të sqarohet arsyeja e refuzimit të grantit.
Në fund ajo ka shtuar se në të ardhmen serish do të aplikojnë për grante dhe “nuk do të dorëzohen në këtë drejtim”.