Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mikpriti sot presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ky i fundit tha se edhe qeveritë skeptike janë të bindura që duhet përshpejtuar procesi i zgjerimit të BE-së.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Shqipërisë, në takimin që u zhvillua në zyrën e kryeministrit Rama e më pas u zhvendos në Sallën e Hartave për t’iu bashkuar edhe delegacionet respektive, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë e Gjermanisë dhe bashkëpunimi i ngushtë në nivel politik e diplomatik, bashkëpunimi i suksesshëm në luftën kundër krimit të organizuar e kundër korrupsionit, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, arsimit, etj.
“Jemi shumë mirënjohës ndaj Gjermanisë për çdo gjë që qeveritë e njëpasnjëshme gjermane kanë bërë për këtë marrëdhënie që është në nivelin e saj më të mirë mendoj. Sigurisht, duam të bëjmë më shumë, por do të thoja që deri më tani, mbështetja e Gjermanisë në të gjitha frontet ka qenë thelbësore për ne. E mendojmë që është shumë mirë të kemi një ministër të jashtëm si President në Gjermani sepse është shumë e dobishme, duke njohur terrenin, duke njohur njerëzit, duke njohur dinamikën në terren për të gjitha vendet, sidomos në këtë rajon, ku siç e dini kemi dhe Procesin e Berlinit që po vazhdon, që në një farë mënyre është riorganizuar, është ripërtërirë, ku falë këtij procesi kanë ndodhur shumë gjëra të mira për rajonin. ” – u shpreh Kryeministri Rama gjatë takimit.
Nga ana e tij, presidenti gjerman përgëzoi progresin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt integrimit europian dhe theksoi se Gjermania do të jetë gjithnjë mbështetëse e këtyre hapave.