Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ndau sot medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) për njësinë rezervë të policisë së specializuar të tij, e cila zbarkoi përkohësisht në Kosovë në muajin mars 2022.
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojë në forcimin e demokracisë, fuqizimit të rendit dhe ligjit.
Përkrahje për sundim të ligjit ofroi edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Të gjitha institucionet e BE-së përfaqësohen nga më shumë se 500 persona në terren në Kosovë. Ne jemi të pranishëm edhe me shtetet tona anëtare, me 17 shtete anëtare të pranishme në Kosovë, dhe po mundohemi ta bëjmë punën tonë së bashku. Ky është një investim serioz në Kosovë, i cili tregon qartë përkushtimin tonë për të ndihmuar Kosovën dhe për ta parë Kosovën si pjesë të familjes evropiane”, tha ai.
Ai vlerësoi partneritetin me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës në fushën e sigurisë, derisa theksoi se janë të vendosur në ngritjen profesionale të Policisë së Kosovës, luftimit të krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
“Po jetojmë një kontekst krejtësisht të ri, një luftë e tmerrshme po zhvillohet në kontinentin tonë. Mbrojtja dhe siguria, gjeopolitika, gjeosiguria, gjeoekonomike dhe gjeostrategjia kanë përjetuar një tërmet me pasoja të pakthyeshme. Në momentin kur kërcënohet liria dhe të drejtat fondamentale, siç shohim çdo ditë nga invazioni dhe agresioni i federatës ruse në Ukrainë është koha të përkujtojmë vlerat që bëjnë shtetet demokratike dhe janë garanci e paqes dhe respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Mekanizmat evropian të sigurisë duhet të jenë evropian dhe të sigurt si kurrë më parë. Kur krimi dhe korrupsioni kërcënojnë funksionimin efikas dhe transparent të institucioneve, sundimi i ligjit bëhet sfidë”, tha ai.