Në koordinim me KFOR-in, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it dhe Njësia Rezervë e Policisë vazhdon patrullimet e saj në terren në veri të Kosovës, duke përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan.
Misioni EULEX ka bërë të ditur për KosovaPress se gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese dhe e tensionuar.
Në kuadër të mandatit dhe kapaciteteve të tij, EULEX-i është përkrahës i masave të tilla parandaluese, por thotë se nuk mund ta zëvendësojnë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë.
“Ajo që tani është e rëndësishme është që situata të de-eskalohet menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të përmbahen nga veprimet më provokuese. Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, mbrojtja dhe siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale”, thekson EULEX-i.
“Duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në veri të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, Misioni rregullisht e përshtat qëndrimin e tij për të pasqyruar situatën në terren. Nëse kushtet lejojnë përdorimin e sigurt të rrugëve alternative, patrullat tona përpiqen të arrijnë në disa lokacione në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe stacionet policore. Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe rrugëve, kjo nuk është gjithmonë e mundur”, ka bërë të ditur EULEX.