Puna e gjykatave duhet të komunikohet në mënyrë aktive dhe proaktive, u tha në diskutimin lidhur me përmirësimin e komunikimit të gjykatave me publikun dhe mediat. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka nënvizuar domosdoshmërinë që gjykatat të komunikojnë në gjuhë të thjeshtë vendimet që merren nga vet ky institucion. Gjatë së hënës janë ndarë edhe përvojat e Maqedonisë së Veriut, në themelimin e Këshillit Gjyqësor Medial, përbërja e të cilit është nga gazetarë e gjyqtarë.
Shefja e zyrës për shtyp dhe informim publik dhe zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana ka thënë se vetëdijesimi i punës së gjykatave është i domosdoshëm.
Tutje, Andrej Bozhinovcki, i cili është asistent i doktoraturës në Fakultetin Juridik në Zagreb ka prezantuar Këshillin Gjyqësor-Medial të Maqedonisë së Veriut. Ai tha se para themelimit të këtij kësaj trupe, gazetarët nuk kanë pasur qasje në gjykata dhe kanë hasur në vështirësi për të marrë përgjigje nga zëdhënësit.
Ish-koordinatori i këtij projekti theksoi se janë mbajtur trajnime se si të shkruhet një komunikatë e qartë më pak se një faqe. Sipas tij, në Kosovë duhet të ketë hapje te dialogut mes gjyqtarëve dhe gazetarëve.