Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë thirrje për respektimin e vullnetit të qytetarëve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke theksuar se vetëm përmes maturisë politike mund të shmanget një krizë e re institucionale dhe të sigurohet funksionalizimi i institucioneve, i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
Në një konferencë për media, Kusari-Lila tha se Kosova tashmë ka dëshmuar standard të lartë demokratik në proceset zgjedhore, duke nënvizuar se deri më tani nuk ka pasur kontestime të rezultateve zgjedhore.
“Është paksa absurde për parti të cilat domethënë në raport me peshën politike dhe besimin që e marrin nga qytetarët të kenë kërkesa si parti në krahasueshme ose paralel me partitë, ose me partinë fituese, dhe kjo po e sjell këtë ngërç në të cilin pritjet, kërkesat dhe dëshirat po shkojnë mbi mundësitë apo mbi mandatin që ata po e marrin nga qytetarët. Krejt çka duhet për të pasur institucione të formuara pas shtatë qershorit është respektimi i vullnetit të qytetarëve në shtatë qershor. E njëjta do të duhej ose do të qëndronte dhe do të sigurohej të respektohej me kthimin e vullnetit të 28 dhjetorit. Unë e kuptoj edhe kërkesën për kompromise politike, por përtej asaj se çfarë kanë thënë qytetarët është e pakuptimtë të kërkohet të merret në tavolinën e negociatave.”, u shpreh ajo.
Këto komente ministrja në detyrë e MINTI i bëri gjatë një konference për mediam ku prezantoi raportin përmbledhës të 100 ditëve të punës prej kur e ka marrë detyrën si ministre.