I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Prishtinën këtë javë për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të dielën.
Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024, sipas njoftimit. Ai pritet të jetë në Prishtinë nga e mërkura.
Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.
Muajin e kaluar, Escobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.
SHBA-ja ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë.
Departamenti i Shtetit tha se i dërguari amerikan do të takohet edhe me shoqërinë civile dhe komunitetin serb në Kosovë, përveç zyrtarëve qeveritarë.
Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, filloi të zbatohet nga 1 shkurti.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Më 4 mars, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i bënë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.
“Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja... Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.