I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Escobar tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Pas rundit të fundit të pasuksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian (BE) e mbajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si përgjegjës për faktin se nuk ka pasur progres në dialog.
Kurti më pas deklaroi se përfaqësuesi special i BE-së “u pozicionua kundër Kosovës”.
Gabriel Escobar: Shikoni, në këtë moment nuk ka alternativë përveç dialogut. Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.
Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian.
Gabriel Escobar: Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim.
Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t'i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu.
Gabriel Escobar: Jo, jo... Kjo është për keqardhje. Pra, dua të them, këto masa janë të pacaktuara derisa të ketë një lëvizje drejt progresit si në [Marrëveshjen e] Ohrit, ashtu edhe në një plan shtensionimi.
Radio Evropa e Lirë: A janë SHBA-ja dhe BE-ja në të njëjtën linjë kur bëhet fjalë për atë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Po e bëj këtë pyetje sepse zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk pranoi sot shprehimisht seqëndrimi i BE-së është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret parasysh gjatë themelimit të Asociacionit.
Ne e kemi adresuar atë në mënyrë të përsëritur. Dhe, jam i zhgënjyer që ajo pikë bisede vazhdon të ngrihet - se kjo do të jetë Republika Sërpska. Nuk do të bëhet [një Republikë Sërpska]. Me të vërtetë bëhet fjalë për autoritete komunale që bëjnë atë që komunat tashmë e bëjnë në gjuhën serbe.
Radio Evropa e Lirë: Do të doja të kaloja pak te Bosnjë e Hercegovina. Asambleja e Republikës Sërpska, entitet i Bosnjë e Hercegovinës, ka shkuar përpara drejt adoptimit të një ligji për agjentë të huaj, i ngjashëm me atë që tashmë është në fuqi në Rusi. Si e komentoni këtë?
Kështu që, unë mendoj që nuk ka asnjë mënyrë që ky ligj mund të ndihmojë në sjelljen e Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe veçanërisht të Republikës Sërpska, më afër Evropës. Por, unë mendoj që ky është plani. Nuk mendoj se presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, synon të ndihmojë në afrimin e Republikës Sërpska me Evropën.
Radio Evropa e Lirë: A gëzon përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, mbështetje të mjaftueshme duke marrë parasysh zhvillimet e fundit dhe deklaratat që vijnë nga presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, se zoti Schmidt do të dëbohej nëse do të përpiqej të hynte në Republikën Sërpska?
Radio Evropa e Lirë: Një pyetje për Maqedoninë e Veriut dhe një pyetje për Malin e Zi. A është SHBA-ja e kënaqur me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut? Pra, këtë pyetje po e bëj në kontekst të ndryshimeve në Kodin Penal, me të cilat u reduktuan dënimet për keqpërdorim nga ana e zyrtarëve.
Gabriel Escobar: Epo, do të them, si fillim, që korrupsioni është problemi më i madh për Ballkanin Perëndimor. Dhe, unë mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë më shumë, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Dhe, kjo është një nga arsyet pse ne jemi vazhdimisht pro [asaj] që vendet t’i nisin reformat që kërkon Bashkimi Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Kur është fjala për Malin e Zi dhe formimin e Qeverisë së ardhshme, në deklaratën tuaj të fundit thatë se Shtetet e Bashkuara e kishin shumë të qartë se donin që Qeveria të përbëhet ekskluzivisht nga parti të fokusuara në integrimin evropian, parti të dedikuara për NATO-n dhe që ndajnë qëndrimin e Perëndimit në lidhje me Rusinë. Nëse një pjesë e forcave apo partive pro-evropiane në Mal të Zi, bëjnë një marrëveshje politike që do të sillte hyrjen e forcave politike anti-perëndimore dhe pro-ruse në Qeveri, cilat mund të jenë pasojat e mundshme?
Gabriel Escobar: Gjithçka që mund të them është se tani me Malin e Zi ne kemi një marrëdhënie shumë-shumë të ngushtë. Mali i Zi e ka dëshmuar veten se është jo vetëm një aleat solid i NATO-s, por edhe një kandidat i mirë për Bashkimin Evropian. Ne jemi jashtëzakonisht të emocionuar për nivelin e partneritetit që presim të gëzojmë me presidentin e ri dhe kryeministrin e ri.
Pra, në kontekstin e gjithë kësaj, unë mendoj që të gjithë bashkëbiseduesit tanë ballkanikë, bashkëbiseduesit tanë malazezë e kuptojnë se tani nuk është koha për t'i dhënë Rusisë një platformë për ndërhyrje në Ballkanin Perëndimor.