Zëvendësndihmës sekretari amerikan, Gabriel Escobar ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.
Stabiliteti në Ballkan dhe paqja më e gjerë rajonale ishin temat kryesore gjatë takimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Escobar.
“Ai më tej theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, citohet Escobar në komunikatë.
Delegacioni i Odës Amerikane, i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Arian Zeka, foli për raste të mundësive të humbura të biznesit në Kosovë për shkak të tensioneve në rajon. Në përgjigje të kësaj, zëvendësndihmës sekretari Escobar theksoi se normalizimi i marrëdhënieve do të zhbllokonte rritjen signifikante ekonomike për Kosovën dhe rajonin më të gjerë.
“Më tej, u diskutua për ndërlidhjen midis marrëdhënieve të normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, thuhet në njoftim.
Duke theksuar vizionin e përbashkët për të ardhmen, Escobar dhe përfaqësuesit e Odës Amerikane u pajtuan se rruga përpara për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit varet nga hyrja e tyre në Bashkimin Evropian. Po ashtu në njoftim thuhet se ata u pajtuan se një integrim i tillë do të sillte një epokë të mundësive të shtuara ekonomike, si dhe do të forconte harmoninë rajonale.