Me 51 vota pro dhe 47 kundër, Senati amerikan konfirmoi përfundimisht gjeneral lejtnant Erik Wendt në postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri.
Votimi në seancën plenare të Senatit pasoi atë që u mbajt në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Lartë të Kongresit amerikan, ku Wendt mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve.
Gjeneral lejtnanti në pension Eric Wendt ka një karrierë të gjatë ushtarake dhe të sigurisë ndërkombëtare, duke shërbyer më shumë se 34 vite në ushtrinë amerikane dhe duke mbajtur poste të rëndësishme si në ushtri ashtu edhe në strukturat e NATO-s.
Në nëntor të vitit 2019, mori drejtimin e selisë së operacioneve speciale të NATO-s që ndodhet në Belgjikë, duke pasur nën komandë të gjitha forcat speciale të aleancës, përfshirë njësitë shqiptare, ndërsa ka punuar me trupat dhe udhëheqësit ushtarakë të Shqipërisë. Para kësaj, shërbeu për një vit si zëvendëskomandant rajonal në Afganistan, një detyrë që përfshinte edhe mbikëqyrjen e trupave nga Shqipëria.Në njoftimin për shtyp pas nominimit të tij, publikuar në fund të muajit të shkuar në faqen e Departamentit të Shtetit,Wendt vlerësohet për përvojën e konsiderueshme të lidershipit, aftësitë për të menaxhuar organizata të ndërlikuara shumëkombëshe dhe ekspertizën e tij rajonale.