Me rastin e 26-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit” dhe 25-vjetorit të ndërhyrjes së forcave ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të ish-regjimit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, komuna e Deçanit sot ka organizuar një manifestim qendror.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka folur mbi rëndësinë e Epopesë së lavdishme të Dukagjinit. Ai ka thënë se me luftën e tyre çlirimtare shqiptarët mbetën në tokat e tyre shekullore, ndërsa forcat e Millosheviqit u larguan. Një fjalë rasti në manifestimin qendror për Epopenë e Dukagjinit mbajti edhe Rifat Jashari nga familja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Ai tha se duhet realizuar amaneti i lënë ndër breza për bashkimin e trojeve shqiptare.
Para të pranishmëve një fjalë rasti mbajti edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili tha se mbështetja e aleatëve dhe partnerëve strategjikë të shqiptarëve është thelbësore dhe e pazëvendësueshme. Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se brezat e ardhshëm duhet të përkujtojnë për herë luftën e bërë për liri dhe të nderohen dëshmorët që dhanë më të shtrenjtën e tyre për liri.
Me rastin e Epopesë së lavdishme të Dukagjinit janë mbajtur homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ku të pranishëm ishin edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari. Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./A. Shala/