Profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, është ftuar nga Oxford Union për të marrë pjesë në një panel të cilësuar si “historik”, në kuadër të një prej forumeve më prestigjioze globale për debat publik.
Në këtë panel, Hasani do të jetë ndër folësit që do të trajtojnë temën: “Si reagon e drejta ndërkombëtare kur një popull kërkon të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e vet politike, por përballet me kundërshtim nga shtetet, kufizime gjeopolitike apo konflikt?”
Paneli pritet të analizojë parimin e vetëvendosjes në kontekste të ndryshme ndërkombëtare, nga Europa në Lindjen e Mesme dhe Azi, duke shqyrtuar mënyrën se si kërkesat për shtetësi trajtohen në praktikë – nëse njihen, kundërshtohen apo shtyhen.
Diskutimi do të mbështetet në Kartën e OKB-së, konventat ndërkombëtare, doktrinën e dekolonizimit dhe debatet mbi shkëputjen korrigjuese, si dhe në të drejtën e konflikteve të armatosura. Qëllimi është të eksplorohen jo vetëm bazat juridike të vetëvendosjes, por edhe përplasjet politike që lindin kur ligji, dhuna, demokracia dhe njohja ndërkombëtare hyjnë në tension.Në këtë forum kanë ligjëruar ndër vite figura të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Ronald Reagan, Richard Nixon, Jimmy Carter, Yasser Arafat, Mary Robinson, Bernie Sanders, si dhe aktivistë si Malcolm X, Malala Yousafzai, Desmond Tutu dhe Angela Davis./KosovaPress/