Komunat kanë shënuar rritje të të hyrave në pronë me miliona euro në krahasim me vitin e kaluar. Ndonëse nuk ka përfunduar ende ky vit, komunat kanë arritur që t’i grumbullojnë të hyrat nga tatimi në pronë në vlerë mbi 42 milionë euro, ose rreth 95 për qind të të hyrave, nga 44.5 milionë sa është e paraparë. Me ç’rast, edhe falja e cila është paraparë në Ligjin për Tatimin në Pronë, e që është në Gjykatë Kushtetuese, nuk ka nevojë të ndodhë.
Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Sipas tij, edhe pse janë hequr disa kushtëzime në këtë drejtim, nuk ka munguar gatishmëria e qytetarëve të paguajnë tatimin.
Sa i përket Ligjit për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët që aktualisht është në Gjykatë Kushtetuese, Ibrahimi tha se kjo falje nuk ka nevojë të ndodhë, pasi sipas tij, qytetarët po paguajnë edhe në këtë formë.
“Qytetarët po tregojnë gatishmëri, komunat janë mobilizuar në plotni sa i përket grumbullimit të te hyrave vetanake nga tatimi në pronë dhe po shihet se suksesi është i jashtëzakonshëm. Pra, deri në fund të muajit tetor janë grumbulluar rreth 95 për qind, dhe tash e kemi edhe muajin nëntor dhe dhjetor, që d.m.th kjo për qindje do të ngritët. Këtë vlerësim po e jap në bazë të përvojave që kemi pasur të deritanishme me Komunat e Republikës së Kosovës, ku zakonisht diaspora gjatë ditëve të fundit kthehet në Republikën e Kosovës dhe bëjnë pagesën e tatimit në pronë, dhe për këtë arsyeje këto mjete në disa raste nuk mund të shpenzohen sepse ato barten në vitin e ardhshëm, sepse procedurat e tenderimit marrin shumë kohë në mënyrë që të shpenzohen të hyrat vetanake në këtë rast nga tatimi në pronë”, shton Ibrahimi.
Krahasim me vitin e kaluar, Ibrahimi thotë se të hyrat vetanake kanë shënuar rritje me miliona euro.
Po ashtu, në njoftimin e dërguar për media, bëhet e ditur se vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që në rrethanat e rastit konkret, pezullimi i efekteve të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, mund të “eviton rreziqe apo dëme të pariparueshme”, që ndërlidhen me garancitë kushtetuese përkitazi me organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale si pasojë e ndërmarrjes së veprimeve nga pushteti lokal sipas përcaktimeve dhe afateve të saktësuara në nenin 5 të Ligjit të kontestuar.