Emocionet e Botërorit 2026 në pulla postare
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Emocionet e Botërorit 2026 në pulla postare
Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Kampionati Botëror i Futbollit 2026”, me rastin e hapjes së Kampionatit Botëror të Futbollit FIFA 2026.
Sipas njoftimit, emisioni filatelik përbëhet nga dy pulla postare dhe një bllok filatelik, të cilat paraqesin në mënyrë simbolike emocionin, pasionin dhe frymën bashkuese që përcjell ngjarja më e madhe sportive në botë.
Posta e Kosovës thekson se përmes ngjyrave, elementeve artistike dhe simbolikës së futbollit, ky emision filatelik synon të lidhë njerëz, kultura dhe emocione përtej kufijve, duke promovuar vlerat universale të sportit dhe komunikimit njerëzor.
Institucioni vlerëson se pullat postare nuk janë vetëm pjesë e koleksioneve filatelike, por edhe bartëse të kujtimeve dhe mesazheve që qytetarët mund t’i shkëmbejnë në frymën e kësaj ngjarjeje globale.
Kampionati Botëror FIFA 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 dhe për herë të parë do të organizohet në tri shtete, në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky edicion do të hyjë në histori si kampionati i parë me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.
Posta e Kosovës ka ftuar koleksionistët, bizneset dhe qytetarët që ta bëjnë pjesë të koleksioneve dhe komunikimit të tyre këtë emision të veçantë filatelik, duke përcjellë emocionet dhe frymën e Botërorit përmes letrave, kartolinave dhe kujtimeve që udhëtojnë nëpër botë.
KosovaPress