Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim Arkivat e Shqipërisë, në Kompleksin Memorial në Prekaz, sot kanë hapur ekspozitën “Të ndarë, por të pashkëputur”, në nderim të festave të 28 Nëntorit dhe 110- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
E interesimi për të parë këtë ekspozitë ishte i madh nga qytetarët që sot po e vizitonin Prekazin sot në ditën e flamurit, dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Kemi përgatitur ekspozitën ‘Të ndarë, por të pashkëputur pas shpalljes se pavarësisë për një periudhë gati 1 shekull ne ishim të ndarë, por përkundër kësaj kishim disa fije të lidhura të cilat e lidhnin atë lidhshmërinë të asaj ADN kombëtare të shqiptarisë dhe meqë ishte e tillë, ne kemi sjell këtu fakte mbi të cilat janë zhvilluar ngjarjet njëra pas tjetrës. Dokumentet e ekspozuara në këtë ekspozitë janë kryesisht të drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë por edhe një pjesë janë të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, sidomos kemi të bëjmë me disa momente të veçantë kur i referohemi viti 1968 që kemi 500 vjetorit të përkujtimit të vdekjes së Skënderbeut, pasta konsultën e Prishtinës që është pararëndese e kongresit të drejtshkrimit me moton një komb një gjuhë, pastaj kemi të drejtën e përdorimit të flamurit, pastaj 100 vjetorit të Lidhjes të Prizrenit… mbi bazën e këtyre prurjeve që ka ndodh në këta përvjetor është mbrojtur, forcuar, edukuar, konsoliduar shpirti atdhetar dhe luftarak që kulmon me luftën e UÇK. Janë ngjarje që kanë pas impakt në zhvillimet e mëvonshme të shqiptarëve për të arritur në ditët tona”, tha ai.
Kurse, drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido tha se kjo ekspozitë tregon themelet e tokës shqiptare.
Bido shtoi se kjo ekspozitë është hapur dhe në Prekazin meqenëse Prekazi është i Adem Jasharit, e Adem Jashari është i gjithë shqiptarëve.
Bido: Adem Jashari është i të gjithë shqiptarëve
“Kjo ekspozitë është hapur dje në një moment solemn dhe sot është një moment solemn në Prekazin e shqiptarisë sepse Prekazi është i Adem Jasharit, por Adem Jashari është i të gjithë shqiptarëve”, tha ai.
Ekspozita “Të ndarë, por të pashkëputur”, u hap dje për herë të parë në Tiranë me rastin e mbajtjes së seancës së përbashkët të dy kuvendeve, atij të Shqipërisë dhe Kosovës./B.Ibishi/