Edicioni i 28-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – UFI Approved Event, do të mbahet në datat 1, 2 dhe 3 dhjetor 2022 në Pallatin e Kongreseve.
Ky eveniment që tradicionalisht është shquar si pikëtakimi i pamungueshëm, bën bashkë me dhjetëra ekspozues, investitorë ndërkombëtarë dhe institucione të rëndësishme të kulturës dhe artit.
Përmes fotove ATSH ruan kujtesën historike të periudhave të ndryshme që ka kaluar vendi dhe i jep një vlerë të veçantë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës.
Gjithashtu arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare me lajmet e kohës nga më të rrallat jo vetëm në historikun e medieve në Shqipëri, por dhe të kulturës, fotografisë dhe entitetit kombëtar, janë një tjetër risi që do të zgjojë interesin e ekspozuesve dhe vizitorëve që do ndjekin këtë aktivitet.
Këto grupe sipërmarrësish shoqërohen nga delegacione zyrtare shtetërore duke i dhënë rendësi faktit që, për të kontribuar në zhvillimin e vendeve, sipërmarrja është ajo që ka më tepër nevojë se kurrë për inkurajim, mbështetje, entuziazëm.
Gjithashtu të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm ekonomiko-kulturor janë: Dhoma e Tregtisë e Stambollit, në përvjetorin e saj të 140-të, vjen me kompanitë e zgjedhura që përmes Shqipërisë, shohin përtej investimet, për më thellë në Rajon.
Dhoma e Tregtisë e Malit të Zi, me mbi 15 ekspozues në sektorë të ndryshëm me veçanti të spikatur.
Kompanitë nga Kosova do të jenë të pranishme me sektorët e industrisë së paketimit, tubave plastike, printimeve, agroushqimore etj.
Greqia, Franca, Danimarka, Gjermania, Holanda me prani të drejtpërdrejta ose të përfaqësuara nga kompanitë bija, tek të cilat kanë investuar së fundmi në materiale ndërtimi, teknologji dhe sisteme survejimi, elektroshtëpiake etj.
Ceremonia e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Tiranës do të zhvillohet në datën 1 dhjetor, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, në Sallën «A» të Konferencave, me praninë e personaliteteve publike shqiptare e ndërkombëtare, trupit diplomatik, përfaqësues të zgjedhur të komunitetit të sipërmarrjes, personazhe të artit e kulturës./ATSH