Eksperti serb i sigurisë: Rasti “Monstra” në Maqedoni iu montua shqiptarëve
Lexohet për: 4 min.
Tr
1 vit më parë
Linku u kopjua

Eksperti serb i sigurisë, Darko Trifunoviq, ka thënë se Rusia ka tentuar të bëjë një puç në Maqedoni të veriut, si dhe të tërheq incizimet inkriminuese që tregonin se fëmijët shqiptarë nuk ishin fajtorë për vrasjen e fëmijëve maqedonas.

Sipas tij, rusët nuk kanë guxuar ta humbnin Maqedoninë  e veriut, dhe për këtë ata kanë ndërmarrë disa hapa.

“Rusët nuk kanë guxuar ta humbin Maqedoninë. Për këtë shkak ata kanë dashur të bëjnë një puç. Për atë janë nisur me dhunë që të hyjnë në parlamentin e Maqedonisë, kanë dashur ta djegin e të bëjnë atentat në Zoran Zaevin, si dhe t’i tërheqin incizimet inkriminuese e që tregonin se fëmijët shqiptarë nuk ishin fajtorë, që s’kishin të bëjnë me krimin e që ishin arrestuar e gjykuar padrejtësisht (vj. Rasti Monstra)”, ka thënë ai.

Trifunoviq në një intervistë  për një medium maqedonas tha se incizimet tregojnë se ato regjistrime tregojnë se fëmijët shqiptarë nuk kanë asnjë lidhje me atë rast që kishte ndodhur në liqenin e Smilkovicit.

“Po, ato regjistrime tregojnë se fëmijët shqiptarë nuk kanë asnjë lidhje me atë rast që kishte ndodhur. Dhe ata kanë dashur t’i nxjerrin ato regjistrime mu në ditën kur i kishin humbur zgjedhjet që ta kallin Maqedoninë”, ka thënë ai.

Njohësi serb i sigurisë ka thënë po ashtu se shërbimi sekret rus ka tentuar që përmes shërbimeve sekrete maqedonase dhe serbe t’i marrë ato incizime, porse siç tha ai, nuk ia ka arritur.

“Në atë moment, ju e dini për kë bëhet fjalë, e unë nuk do ta them emrin e tij, por ai njeri ishte hero dhe nuk e kishte dhënë atë regjistrim. Nuk e ka dhënë se ka pasur një presion të hatashëm, bëhet fjalë për një qytetar të Maqedonisë, e unë si serb sot mund t’i them patriotit maqedonas, që atë regjistrim nuk ka dashtë t’ia japë as shërbimit maqedonas e as atij serb, pra dua të them eksponentëve brenda dy shërbimeve që ishin në rrjetin e shërbimeve sekrete ruse. Ai regjistrim në atë moment nuk u është dhënë atyre njerëzve në atë moment, mendoj që është asgjësuar, e aty është shpëtuar Maqedonia. Një ditë për këtë do të flitet e shkruhet, unë jam takuar me atë person dhe në një mënyrë në atë moment i kam ofruar mbrojtje, jo në një mënyrë, por në mënyrë të drejtpërdrejt, e ai edhe është ende gjallë mu për këtë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Rusia bën luftë hibride në Maqedoni të Veriut, me qëllim të shkaktimit të konflikteve dhe me qëllim të përmbushjes së interesave të saj.

“Kudo ku Rusia ka bërë luftëra hibride e kudo ku i ka realizuar interesat e veta, aty ka rrjedhur gjaku në përrenj. E ne i kemi parë politikat e tyre, se çka ka ndodhur në Sudan, në Siri, se si e kanë mbrojtur Sirinë, e e kemi parë së fundmi se vëllezërit e tyre të lindjes ukrainasit, i kanë bërë copë, u kanë shkatërruar qytetet, ua kanë shkatërruar njerëzit, bëjnë krime masive, e këto krime kanë nënshkrim, ke kujdes, nëse shihni nga Bahmut, Mariupolli, kjo është një dorë e njëjtë, e cila paraprakisht e ka bërë nënshkrimin edhe këtu në Ovçare e Vukiovar, në Srebrenicë, në Batajnicë e shumë vende tjera. Këtu edhe mund ta shihni se pikërisht të gjithë ata aktivistë pro rusë këtu në Serbi, të gjykuarit kryesorë të Tribunalit të Hagës, që e dini se çka kanë bërë këtu, pra kjo është dora e njëjtë që po vepron tash në Ukrainë”, ka thënë Trifunoviq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024