Ekrem Hyseni kryetar i LDK-së në Podujevë: Jemi gati për sfidat e radhës
Lexohet për: 3 min.
hyseni-290122
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i ri i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Podujevë. Këtë e ka bërë të ditur Hyseni për KosovaPress.

Nga 75 delegatë, 74 vota kanë qenë “për” dhe një abstenim që timonin e degës së LDK-së në Podujevë  ta marrë Hyseni.

Hyseni thotë se kjo detyrë i ka dhënë përgjegjësi të reja, por që thekson që janë gati për sfidat e radhës.

“Ka qenë vullnet i degës prej strukturave për me u mbajt Kuvendi i jashtëzakonshëm ku kanë qenë shumica e delegatëve dhe pa kundërshtime kanë votuar për kandidaturën time. Normalisht na kanë dhënë përgjegjësi të reja njëkohësisht ky zhvillim i sotëm na vesh me këto përgjegjësi dhe besoj shumë që bashkë me ta do t’ia dalim dhe do të jemi gati për sfidat e radhës”, tha Hyseni për KosovaPress.

Për zgjedhjen e tij ka reaguar ish-kryetari i Podujevës, njëherit deputet nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, i cili tregoi që nuk do të marrë pjesë në kuvendin e thirrur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Mirëpo, Hyseni nuk ka dashur ta komentoj mungesën e Veliut. Ai tha se zgjedhja e tij në kryet të LDK-së degës në Podujevë ka qenë vullnet i degës dhe i strukturave.

“Sipas informatave që kam të gjithë kanë qenë të njoftuar me marrë pjesë po ashtu edhe zoti Veliu. Ka qenë vullneti i degës dhe do të punojmë bashkë me degën dhe strukturat për ta forcuar edhe strukturën edhe degën dhe njëkohësisht për të qenë gati dhe për sfida të tjera”, tha Hyseni.

Veliu teksa njoftoi që nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të jashtëzakonshëm ku Hyseni do të zgjidhej kryetar i degës së LDK-së ën Podujevë, tha se ajo që po bënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me misionarët e antiLDK nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të kësaj dege.

“Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës. Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë. Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë. Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”, ka shkruar Veliu.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bldk-ja-therret-kuvend-te-jashtezakonshem-ne-podujeve-reagon-veliu/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025