Ekonomia ruse u tkurr me pesë për qind në shtator në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, një pikë përqindje e plotë më e fortë se në gusht, treguan të enjten të dhënat nga Ministria ruse e Ekonomisë.
Sanksionet nga vendet perëndimore dhe pasojat e dërgimit të dhjetëra mijëra ushtarëve rusë në Ukrainë në shkurt e shtynë ekonominë në recesion, por Moska thotë se Perëndimi “dështoi të shkatërrojë ekonominë ruse”.
Ministria e Ekonomisë njoftoi të mërkurën se tani presin një rënie të aktivitetit prej 2.9 për qind për këtë vit dhe thonë se rënia e shtatorit është rezultat i një baze të lartë krahasuese në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kështu, sipas ministrisë, ekonomia ruse ra me 4.4 për qind në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë tre mujore të vitit 2021.