Edhe nëntë zona kanë mbetur për t’u pastruar nga mjetet shpërthyese në veriun e Kosovës
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Edhe nëntë zona kanë mbetur për t’u pastruar nga mjetet shpërthyese në veriun e Kosovës
minat-foto
12/03/2026 - 16:37
Linku u kopjua

Përfaqësues të ekipit që merret me pastrimin e zonave të kontaminuara nga mjetet shpërthyese kanë prezantuar sot në zyrat e Norëegian People’s Aid Kosovo në Mitrovicë progresin e arritur në terren dhe procedurat që përdoren gjatë operacioneve të pastrimit.

Para delegacionit nga ambasada e Japonisë, shtetit që po e mbështet këtë veprimtari, drejtori i organizatës, Claus Nielsen, bëri të ditur se deri më tani janë përfunduar disa detyra në zona të ndryshme, ndërsa aktualisht kanë mbetur edhe nëntë zona për t’u pastruar në pjesën veriore.

Poshtë në Graçanicë, në zonën e trashëgimisë policore, kishim dy detyra që i realizuam – një në jug dhe një në veri. Pastaj kishim edhe dy detyra lart në Bajgorë. Siç e përmendëm edhe më herët, kemi përfunduar punën edhe këtu. Për ta krahasuar me pastrimin total dhe zonat që kanë mbetur, kjo hartë tregon pikat e gjelbra që janë detyra të përfunduara që nga viti 2014, ndërsa pikat e kuqe janë detyra që ende presin të përfundojnë. Disa nga këto detyra i kemi filluar tashmë, por janë pezulluar për shkak të sezonit të dimrit. Ajo që është e mirë për t’u parë është se kanë mbetur vetëm nëntë zona për t’u pastruar. Pra, kanë mbetur rreth 1.8 milion metra katrorë në zonat veriore. Plani është që, pasi t’i përfundojmë zonat veriore, në koordinim me Qendrën e Veprimit kundër Minave të Kosovës, NPA do të vazhdojë – sipas detyrave që do t’i jepen nga kjo qendër – edhe në zona të tjera të kontaminuara në Kosovë. Por për momentin prioriteti kryesor është pjesa veriore dhe komunat veriore, ku Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë dhe të bëjë pastrimin pa shumë planifikim dhe përgatitje. Pra, kjo është gjendja jonë sot. Është vërtet mirë të shihet që kemi bërë këtë progres. Gjithashtu duhet kujtuar se vetëm brenda nëntë muajve, qeveria japoneze ka mbështetur 15% të të gjitha detyrave që janë realizuar këtu”, tha Nielsen.

Menaxheri i operacioneve, Haredin Kryeziu ia prezantoi të deleguarit të ambasadës japoneze edhe pajisjet që përdoren në terren për zbulimin dhe pastrimin e mjeteve shpërthyese, duke theksuar se një pjesë e sipërfaqes së pastruar duhet të kontrollohet sërish për të garantuar cilësinë e procesit.

Gjatë takimit u fol edhe për një nga mjetet e gjetura gjatë operacioneve të pastrimit.

Sipas tij, ekipet në terren përdorin edhe pajisje të ndryshme për orientim dhe komunikim gjatë operacioneve.


Sivjet mbushen 27 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, nga e cila për gati tri dekada mbetën shumë predha, mina e municione të pashpërthyera.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026