Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar zgjedhje të brendshme në këtë parti.
Bajrami tha se zgjedhjet e brendshme në LDK janë zgjidhja, teksa kërkoi që të sillen me dinjitet, pasi sipas saj, pozitat nuk janë të përhershme.
Tutje, ajo iu drejtua kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, se parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë, duhet të zbatohet pa përjashtim.
“Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme. Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend”, shkroi tutje Bajrami.“Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë. Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve”, shkroi ajo.
Dje, Dega e LDK-së në Pejë dhe ajo në Lipjan i kanë kërkuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që të japë dorëheqje pas rezultatit të fundit zgjedhor, ku LDK-ja renditet e treta me 16.69%.