Të martën e 29 nëntorit në kuadër të Kampionatit Botëror “Katar 2022” do të zhvillohet ndeshja mes Iranit dhe Amerikës.
Kjo përballje risjell kujtimet e Botërorit të vitit 1998 që u zhvillua në Francë, ku kishte skena vëllazërore mes lojtarëve të këtyre dy shteteve që politikisht janë rivale, përcjell KosovaPress.
Botërori 1938: Italia kundër Francës
Në një kontekst shumë të tensionuar gjeopolitik, me hijen e fashizmit mbi Evropën, Franca po priste Botërorin e tretë në histori. Më 12 qershor përballet me Italinë në çerekfinale në stadiumin ”Colombes”, ndeshje kjo në të cilën Italia fitoi 3:1.
Italianët e vazhduan deri në fund Kupën e Botës dhe e fituan titullin e dytë me radhë të kësaj gare.
Botërori 1974: Republika Federale e Gjermanisë kundër Republikës Demokratike të Gjermanisë
Në mes të Luftës së Ftohtë, kjo përballje bëri të qarta tensionet mes dy vendeve, por që më pas të dyja filluan një proces normalizimi dhe nënshkruan një traktat të njohjes reciproke në vitin 1972.
Ndeshja e cila cilësohej e rrezikshme më në fund kaloi pa pengesa, ku RDGJ fitoi ndeshjen falë golit të Jugen Sparwasser, i cili mbahet në mend si ai që i dha fitoren e Bllokut Lindor, por që në fund RFGJ fitoi Kupën e dytë të Botës.
Argjentina dhe Anglia përballen më 22 qershor në çerekfinale në Mexico City, katër vite pas Luftës së ishujve Falklands, e cila la të vdekur 649 argjentinas dhe 255 britanikë. Atmosfera ishte shumë e tensionuar mes këtyre dy skuadrave, vendet e të cilave nuk kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 1982.
Në prag të çerekfinales, pati përplasje mes ultrasve nga të dyja palët, duke shkaktuar disa dhjetëra lëndime të lehta apo të rënda.
Maradona e pranoi se “ishte një finale për ne. Nuk ishte për të fituar një ndeshje, ishte për të eliminuar anglezët”.
Botërori 1998: Irani kundër Amerikës
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë prishur që nga marrja peng e ambasadës amerikane në Teheran, e cila pasoi Revolucionin Iranian të vitit 1979. Kjo ndeshje e luajtur më 21 qershor në Lion, paraqiti një mundësi për paqe.
Pas himneve, futbollistët amerikanë shtrëngojnë duart me kundërshtarët e tyre duke u ofruar flamurë. Secili prej tyre merr në këmbim një buqetë me trëndafila të bardhë.
Botërori 2018: Zvicra kundër Serbisë
Më 22 qershor në Kaliningrad, Serbia përballet me Zvicrën, e cila ka disa lojtarë me origjinë kosovare.
Granit Xhaka, i lindur në Zvicër, nga një familje kosovare, dhe Xherdan Shaqiri, i lindur në Kosovë, shënuan nga një gol duke bërë që Zvicra të fitonte ndaj Serbisë 2:1.
Dy lojtarët festojnë golat e tyre duke imituar me të dyja duart shqiponjën e flamurit shqiptar, gjest ky i mbështetjes për Kosovën. /ATSH/