Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), pjesë e së cilës është edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress, shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të Montaser Al-Sawaf, kameraman i pavarur i agjencisë turke të lajmeve Anadolu, në sulmet e fundit ajrore izraelite në Gaza.
Bordi i EANA dënon çdo formë dhune ndaj gazetarëve, të cilët luajnë një rol vendimtar në sigurimin e publikut me informacion të besueshëm nga zonat e konfliktit.
Montaser Al-Sawaf, një kameraman i pavarur i Anadolu-s që raportonte në Gaza të premten, u vra në sulmet ajrore izraelite, të rifilluara rishtazi pas një pauze njëjavore.
"Sawaf, vëllai i tij Mervan dhe anëtarë të tjerë të familjes u martirizuan gjatë sulmeve ajrore izraelite në lagjen Ed-Durc të Gazës jugore," tha për Anadolu Hassan Ismameh, kushëriri i gazetarit.
Al-Sawaf, së bashku me vëllain e tij dhe të afërmit e tjerë të vrarë në sulmin e Izraelit, u varros në varrezat al-Batsh të qytetit.
Serdar Karagoz, presidenti dhe CEO i Anadolu, përcolli ngushëllimet e tij në një deklaratë, duke denoncuar gjithashtu se si deri më sot janë vrarë 71 gazetarë në sulmet izraelite në Gaza.
"Në emër të të gjithë kolegëve tanë që humbën jetën në sulmet e qeverisë izraelite në Gaza, duke përfshirë edhe profesionistin e pavarur të agjencisë sonë Montaser Al-Sawaf, ne do të vazhdojmë luftën tonë që ata që janë përgjegjës për këto sulme të mbahen përgjegjës sipas ligjit ndërkombëtar," shtoi ai.
Karagoz shprehu ngushëllimet e tij për të gjithë gazetarët që kanë humbur jetën në Gaza, duke shprehur ngushëllime për familjet e tyre.
"Ajo i thyen këto vlera dhe komuniteti ndërkombëtar, i cili supozohet t'i mbështesë këto vlera, është një nga humbësit kryesorë në Gaza."
Duke kundërshtuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, ushtria izraelite njoftoi të premten në mëngjes se kishte rifilluar sulmet në Rripin e Gazës pasi një pauzë humanitare që kishte qenë në fuqi për një javë i erdhi fundi.
Më shumë se 15.000 palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori. Rreth 1.200 izraelitë janë vrarë gjithashtu, sipas vlerësimeve zyrtare. /AA