Një Raphael Varane “i shkatërruar” ka folur për tronditjet në kokë në futboll, me yllin e Manchester United që e ka këshilluar të birin e tij që mos ta godasë topin me kokë.
Varane, i cili ka pësuar tronditje në kokë në ndeshjet me Kombëtaren e Francës dhe Real Madridin, theksoi mungesën e të kuptuarit rreth lëndimeve të kokës në futboll, raporton KosovaPress.
Në një intervistë me “L’Equipe”, Varane tha:
“Unë e mbarova ndeshjen por unë isha në modalitetin ‘autopilot’. Nëse dikush do më fliste asokohe, nuk e di nëse do të isha i aftë të ktheja përgjigjen”.
“Nuk isha në gjendje normale kështu që po më monitoronin. Kisha humbur peshë sepse isha i dehidratuar, nuk isha në formën më të mirë por luajta sepse ishte një çerekfinale e Kupës së Botës”, tha Varane.
Varane ka pasur probleme të tilla edhe te United, klub ky i cili ua ka ndaluar lojtarëve ta godasin topin më shumë se 10 herë me kokë në stërvitje, gjë kjo e cila nuk mund të kontrollohet më pas në një ndeshje zyrtare. Kjo e ka shtyrë Varanen që ta paralajmërojë të birin e tij shtatë vjeçar që mos ta godasë topin me kokë.