Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pyetur presidentin e Republikës Serbe Milorad Dodik, pse ai merret më shumë me pasurimin e vetes dhe familjes së tij, në vend që të pasurojë komunitetet lokale dhe të përmirësojë cilësinë e jetës në komunat në Republikën Serbe.
Ambasada në një postim në X ka shkruar, se shumë komuna në të cilat partia e Dodik është në pushtet, u tërhoq nga programi amerikan i ndihmës, pasi Dodik u bëri presion për t'u tërhequr.
Ambasada shkroi gjithashtu se SHBA po investon 14.1 milionë dollarë për të ndihmuar komunat në Bosnjë e Hercegovinë të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve që u ofrojnë banorëve të tyre dhe të gjenerojnë investime dhe vende pune duke përdorur fuqinë e diasporës boshnjake.
“Diaspora Invest deri më tani ka realizuar 69 milionë dollarë investime dhe ka krijuar mbi 2.800 vende pune në mbarë Bosnjën dhe Hercegovinën. Të gjitha komunat në BeH kanë të drejtë të marrin pjesë në programet tona të investimeve dhe programet e qeverisjes vendore dhe aktualisht marrin pjesë 30 komuna nga Federata e BeH dhe dhjetë komuna nga Republika Serbe", theksoi Ambasada e SHBA-së.