Rreth 100 qytetarë të Hanit të Elezit kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga dita e djeshme. Në orë të vona të mbrëmjes, me dhjetëra pacientë me simptoma të helmimit janë paraqitu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. I pari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi njofton për KosovaPress, se dyshohet për simptoma të helmimit nga uji i pijshëm. Ndërkohë, bën të ditur se është njoftuar Instituti i Shëndetësisë Publike, por që ende nuk janë marrë mostrat e ujit.
Më tej, ai ka njoftuar se vetëm gjatë natës së mbrëmshme janë trajtuar 70 pacientë në QKMF-në e Hanit të Elezit.
Derisa thekson se nuk është gjendje alarmante, Ballazhi pohon se pacientët kanë simptoma të helmimit.
“Është vjellje, barkqitje dhe temperaturë, por nuk është një gjendje shumë alarmante, por vetëm për shkak të numrit sepse është i madh. Por nuk ka ndonjë vend për shqetësim, të paktën kështu e thonë kompetentët e shëndetësisë”, shton ai.
“Aty marrin ndihmën e parë, infuzionet, ndryshe shkojnë në shtëpi. Nuk ka diçka për shqetësim edhe na thonë edhe mjekët që kanë kontakt me ta. Por, megjithatë është një helmim që ende nuk po e dimë se nga vjen… Është njoftuar Instituti, ata ende nuk kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të marrë mostrën e ujit, tash kur dalin analizat, unë, nuk mund të ju them diçka”, ka përfunduar ai.