Durmishi: Vetëvendosje, garanci për një Kosovë sovrane e me integritet territorial
Intervista - Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 4 min.
474382575_2022423804914390_980128841860254529_n
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje është alternativa më e mirë për një Kosovë me integritet territorial, thotë kandidati për deputet Hysen Durmishi.

Durmishi, i cili garon në zgjedhjet e 9 shkurtit me numrin 60, thekson se më Lëvizjen Vetëvendosje janë mbyllur të gjitha rrugët ilegale të kontrabandës në veri, derisa shton se kanë arritur të qeverisin pa Listën Serbe.

Në një intervistë për KosovaPress, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi thotë se ka edhe shumë projekte tjera të  reja të cilat kanë filluar, të cilat, thotë se mund të përfundojnë vetëm me LVV-në në pushtet.

“Qytetarët e Kosovës për këto katër vite e kanë parë punën e mirë të LVV-së në qeveri. LVV brenda këtij mandati ka arritur që buxhetin e saj ta rrisë për 50 për qind dhe atë buxhet ta kthejë tek qytetarët përmes investimeve dhe skemave tjera, qoftë grante, subvencione e forma të tjera në mënyrë që të ndodh zhvillimi ekonomik, të rritet punësimi, dhe qytetarët të kenë një jetë më të mirë. Ajo që Qeveria e Kosovës ka bërë në veriun e Kosovës është e mjaftueshme që secili qytetar të votojë sërish. Nuk guxojnë qytetarët e Kosovës të lejojnë që Kosova të rikthehet edhe njëherë siç ka qenë para Qeverisë Kurti, sepse ne sot kemi sovranitet cep më cep territorit të Kosovës, integritet territorial në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës, kemi ushtri të fortë, polici të fortë. Kemi ndarë buxhet për ushtri në bazë të kritereve që kanë vendet e NATO-s, pra më shumë se 2 për qind të GDP-së së Kosovës dhe kemi filluar shumë punë të mira të cilat duhet t’i vazhdojmë”, deklaron Durmishi.

Ai flet edhe për planet e LVV-së për mandatin tjetër, përfshirë rrugët që lidhin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dhe rrugë të tjera që kanë mbetur si zona të harruara.

“Vetëm në Ministrinë e Infrastrukturës ku unë kam pasur pozitën e zëvendësministrit kemi pasur 347 milionë euro kontrata të nënshkruara me vetëm 70 milionë euro buxhet. 182 milionë euro borxhe për shpronësime dhe shumë kontrata pa procedura të shpronësimit. Një pjesë të madhe të tyre i kemi realizuar, një pjesë të madhe të projekteve të reja i kemi filluar, prandaj na duhet mandati tjetër në mënyrë që të vazhdojmë me projektet tona, sepse kemi ndërtuar një standard, sistem që nuk mund të ulet më ky standard. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, që kemi mbyllur të gjitha rrugët ilegale të kontrabandës në veri, dhe po i bëjmë rrugët që i bashkojnë shqiptarët e ndarë padrejtësisht me shekuj. Jemi duke bërë rrugë që na lidhin me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, që na lidhin me Shqipërinë si zona të harruara dhe që s’kanë pasur mundësi komunikimi me njëra-tjetrën. Kemi marrëveshje me Qeverinë e Malit të Zi për dy rrugë shumë të rëndësishme, edhe për Deçan-Plavë edhe për Pejë-Rozhajë, të cilat duhet të implementohen dhe këto mund t’i bëjmë vetëm në qoftë se do të jetë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kryeministër, Albin Kurti”, nënvizon Durmishi.

Me qeverisjen e Kurtit, Durmishi thotë se kanë arritur që të largojnë Listën Serbe nga Qeveria.

“Gjatë qeverisjes tonë Listën Serbe e kemi heq nga Qeveria, nga Kuvendi edhe besa në shumicën e kohës e kemi heq edhe nga Kosova. Prandaj, nuk do të lejojmë kurrsesi që të kthehet situata siç ka qenë para Qeverisë Kurti”, thotë ai.

Për një Kosovë sovrane e me integritet territorial, Durmishi thotë se alternativa e vetme është Lëvizja Vetëvendosje.

“Për një Kosovë me sovranitet dhe integritetet territorial cep më cep, dhe për infrastrukturë moderne, votoni Lëvizjen Vetëvendosje me numër 118 dhe mua si kandidat me numër 60”, thotë ai.

Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ka filluar me 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt./KosovaPress/

Artikull i sponsorizuar

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025