Demaku premton përkrahje për kategoritë e dala nga lufta, policinë dhe ushtrinë
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 4 min.
1 ditë më parë
Linku u kopjua
Mbështetje për kategoritë e dala nga lufta dhe mbrojtje të interesit nacional, janë prioritetet e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Fadil Demaku. Ai po synon rikthimin në ulësen e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Demaku, i cili mban numrin 19 në listën e PDK-së për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se programi i kësaj partie është më i miri për qytetarët e Kosovës.
“Oferta e kandidatit tonë për kryeministër, Bedri Hamza është oferta më e mirë për qytetarët e Kosovës, duke filluar së pari nga aspekti ekonomik që është një ofertë për zhvillimin e vendit, për ekonominë e vendit, për ndaljen e kësaj qasje në raport me qytetarët dhe për progresin e Kosovës në raport me arenën ndërkombëtare drejt integrimit të vendit tonë... Kam mundësi, kam energji dhe kapacitete të mjaftueshme që ta jap kontributin tim maksimal në kuadër të projektit të Bedri Hamzës si kandidat për kryeministër”, thotë Demaku.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës konsideron se qeverisja aktuale nuk ka pasur qasje të duhur karshi kategorive të dala nga lufta.
Për këtë, Demaku thotë se me ardhjen e tij në Kuvendin e Kosovës, zëri i veteranëve, familjarëve dhe invalidëve të luftës do të dëgjohet më shumë.
“Duke qenë vetë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të gjitha kategoritë e dala nga lufta mendoj që gjatë këtij mandati qeverisës kanë pasur një qasje jo korrekte nga ana e qeverisë ndaj tyre. Dhe mendoj se do të jem njëri ndër zërat e fuqishëm që do të mbroj interesat e kësaj kategorie në shoqëri për shkak të asaj çka përfaqësojnë këto kategori, si pjesë kryesore dhe më meritore për atë që ne jemi sot si vend, si shoqëri, dhe mendoj që në aspektin ligjor duhet të ketë një qasje krejt ndryshe, një mbrojtje të këtyre vlerave me amendamentime të ligjeve që këta të jenë pjesë e dinjitetshme e shoqërisë tonë”, theksoi Demaku.
Ardhja e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet do të sjellë qasje serioze për sigurinë në vend, thotë kandidati për deputet i kësaj partie, Fadil Demaku.
Ai shton se me PDK-në, ushtarët dhe policët do të kenë jetë të dinjitetshme.
“PDK do të krijojë një qasje të re së pari që ushtari i Kosovës të jetë i dinjitetshëm në punën e tij, me pagën dhe me të gjitha pajisjet në raport me zhvillimet e tanishme, dhe kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë që kemi pretendime për tu bërë pjesë e NATO-s. Sa i përket Policisë së Kosovës kemi pasur një degradim të jashtëzakonshëm, ne sot takojmë njerëz që janë pjesë e këtij institucioni dhe besoni ata flasin për vështirësi të uniformave të vjetruara... pagat e tyre janë shumë të ulëta, mëditjet e tyre janë jashtë çdo standardi dhe trajtimi i tyre në aspektin e forcimit është në shpërputhje të madhe me atë çka propagandohet përpara publikut. Në këtë drejtim, ne mendojmë që në kohën kur ka qenë PDK-ja në qeverisje ka pasur një qasje shumë më pozitive në raport me këto institucione”, thotë ai.
Premton se do të zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve.
“Do të jemi një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të tyre, nuk do të stepen asnjëherë. E kaluara ime ka kaluar se në kohë të vështira para presioneve të mëdha, siç ka qenë vetë Gjykata Speciale, kam mbajtur një qëndrim mohues për atë... në çështjet që kanë të bëjnë sidomos me interesat e mëdha nacionale për qytetarët, unë fuqishëm nuk do t’i nënshtrohem asnjë presioni dhe do të jem zë i fuqishëm në mbrojtje të asaj që kërkojnë qytetarët”, thotë Demaku.
Në Kosovë, nga 11 janari ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt./KosovaPress