Kurdisjet që tashmë janë të konfirmuara në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës, përkatësisht në ndeshje Ulpiana-Vëllaznimi, po konsiderohet ta kenë goditur mjaftë rëndë imazhin e futbollit kosovar.
Kështu ka konsideruar trajneri, Fahredin Duraku, i cili në një intervistë për KosovaPress, ka tërhequr vëmendjen se kjo situatë është edhe nën vëzhgimin e organeve të UEFA-së dhe mund të sjellë pasoja të mëdha.
Derisa Liga e Parë është prekur nga trukimet, Superliga nga ana tjetër është arenë e përplasjes mes drejtuesve të disa klubeve dhe gjyqtarëve. Këta të fundit në shumë raste po akuzohen për ndikim direkt në rezultat me vendimet e tyre që konsiderohen të gabuara. Për të dal nga kjo situatë, Duraku i rekomandon FFK-së, që ta ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes se gjyqtarëve për ndeshjet e Superligës së Kosovës.
Krejt në fund, Duraku ka folur edhe për luftën për titull të kampionit, garë në të cilën ai i jep përparësi kampion në fuqi, Ballkanit. Në lidhje me skandalin e kurdisjeve ka reaguar edhe presidenti i FFK-së Agim Ademi i cili ka thënë për KosovaPress se FFK nuk do të lejojë gjëra ta tilla në futboll që e dëmtojnë këtë sport.