Përfaqësuesen e futbollit të Sllovakisë e pret sonte një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shumë e vështirë e barazhit kundër Kosovës dhe, në rast suksesi, një përballje vendimtare për një vend në Kupën e Botës 2026 në Kanada, SHBA dhe Meksikë.
Portieri Martin Dúbravka është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë ndoshta shansi i tij i fundit, për shkak të moshës (është 37 vjeçar) prandaj është i vendosur që së bashku me bashkëlojtarët të japin maksimumin.
Dubravka tha se ai dhe bashkëlojtarët do të bëjnë maksimumin kundër Kosovës.
“Për ne më të vjetrit është një motivim shtesë,” theksoi ai, që foli më pas pas edhe për cilësinë e kundërshtarit nga Kosova, kombëtare kjo për të cilën tha se ka disa emra të njohur dhe një vlerë tregu më të lartë se përfaqësuesja sllovake.
Lojtari i Burnleyt në Angli shtoi se nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari.
“Nëse publiku mendon se është një kundërshtar i lehtë, por duhet harruar e kaluara kur Kosova nuk ishte aq konkurruese. Kjo i përket së shkuarës, sepse lojtarët e tyre janë të pjekur dhe fizikisht të fortë. Nuk do të nënvlerësojmë asgjë”, tha ai. “Gjithmonë përpiqem ta kthej fokusin te ne, sepse kemi luftuar gjithmonë me zemër për vendin tonë dhe kështu do të jetë edhe tani”.
“Do të ishte një histori e bukur. Për mua, përfaqësimi i vendit është arritja më e madhe në çdo nivel dhe kështu e trajtoj. Kjo ndeshje është si një finale. E di sa e rëndësishme është për gjithë vendin tonë dhe si na kanë bashkuar ndeshjet me Belgjikën, Portugalinë, Gjermaninë… Duam t’u japim njerëzve në Sllovaki diçka në këmbim për mbështetjen e tyre,” u shpreh ai.
Për çdo futbollist është diçka e veçantë të përfaqësojë vendin e tij, por në një ndeshje vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës 2026 emocionet janë edhe më të mëdha.