Një delegacion zyrtar i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), udhëhequr nga kryetarja e Bordit, Eriola Bibolli, gjatë një vizite zyrtare në Berlin, janë pritur nga Zyra e Kancelarit Gjerman.
Në njoftim thuhet se delegacioni pati disa takime të rëndësishme gjatë vizitës, me fokus në forcimin e lidhjeve bilaterale dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, si dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta përgjatë vitit 2024.
Sipas njoftimit, delegacioni ishte ftuar në pritjen e Vitit të Ri të Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane, ku fjalë rasti mbajti Ministri Federal i Financave, Christian Lindner. Gjatë pritjes, anëtarët e delegacionit të OEGJK-së kanë pasur takime të vlefshme me biznese gjermane dhe përfaqësuesit e institucioneve gjermane dhe ndërkombëtare.
“Delegacioni i OEGJK-së pati mundësinë të informonte bashkëpunëtorët gjermanë për rolin e OEGJK-së, zhvillimet ekonomike të fundit në vend, dhe nismat e vazhdueshme që synojnë forcimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në komunikatë.