Historia e popullit shqiptar, por veçanërisht e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka zgjuar kuriozitetin e 35 mijë vizitorëve vendas e të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik në Krujë të Shqipërisë, Mehdi Hafizi, ka thënë se gjatë gjysmës së parë të 2023 ka një rritje me 60 % të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas tij, vizitorët shfaqin interes për muzeun në përgjithësi, figurën e Skënderbeut, pazarin karakteristik dhe veprat e artit në muze.
Lidhur me punimet në Muzeun Etnografik, Hafizi tha se “po ecin me ritme të shpejta dhe pritet që në shtator të përfundojë restaurimi i tij”.
Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, Principatat Shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.