Drejtori i Fondit i quan spekulime dyshimet për keqpërdorime
Lexohet për: 8 min.
Komisioni-për-Shëndetësi-190722
2 vite më parë
Linku u kopjua

Keqpërdorimet e pretenduara të bëra në Fondin për Sigurime Shëndetësor, drejtori i këtij institucioni, Fatmir Plakiqi i ka quajtur spekulime dhe tendencioze ndaj tij. Për këtë ai paralajmëroi se të premten do të dorëzojë edhe dosje në Polici të Kosovës.

E krejt këto ai i tha gjatë raportimit për rreth dy orë para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

“Unë nuk kam dashur me u prononcua për shkak se kam lënë që organet e drejtësisë për të gjitha veprimet ne vetëm kemi vu kontaktet e para me ta dhe jemi të gatshëm për çdo kërkesë që kanë dhe çdo informacion...Këto spekulime e këto kam me i dërgua në Polici edhe me centin e fundit kemi me bë barazim sa të jam drejtor. Besën e keni. Për gjithçka ka përgjigje në Fond krejt dosjen me të gjitha çështjet që janë ngritur për gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Duke ia hedhur përgjegjësitë të gjitha bordit për trajtim jashtë vendit dhe udhëzimit administrativ për trajtim jashtë vendit, drejtori i Fondit nuk dha pothuajse asnjë përgjigje në atë që interesoheshin deputetët.

Ai tha se nga barazimet që kanë bërë me 44 spitalet private vendore dhe disa të rajonit dhe vlera e fondeve të pashfrytëzuar sipas tij është 1.4 milion.

Kurse, u shpreh se aktualisht po punojnë në barazime me 48 spitale private në Maqedoni të Veriut dhe në Turqi. Ai dha zotimin madje se për çdo cent do të jepet përgjegjësi.

“Nga ky raport i barazimit i shihni 44 institucionet shëndetësore që i kemi barazuar nga këto 44 institucione që i kemi barazuar vlera e fondeve të pashfrytëzuar ne i kemi identifikuar 1.4 milion, tash jemi në fazën e barazimit me të gjitha institucionet  shëndetësore në Turqi këtu është problemi dhe kjo është një nga pjesët që normalisht ndoshta nuk ka me ndikua mirë  tek dikush, por nuk e kemi ndërmend me u ndal ,çdo cent i buxhetit të Kosovës ka me u pasqyruar dhe raportuar në të kundërtën paret kthehen.... Ne jemi duke punuar me rreth 48 institucione të tjera të  jashtme që janë në Maqedoni të Veriut dhe Turqi.. Ne kemi rreth 2 milionë euro fonde sot dhe kemi pasur që 3 muaj 2 milionë euro të gatshme për pagesë nuk e kemi asnjë vendim nga bordi i trajtimeve jashtë për t’i paguar këto fonde kjo është shqetësuese sepse kemi obligime potenciale ndërsa, fondet janë në pritje për ekzekutim të pagesave”, tha ai.

I pari i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi tha se qysh nga viti 2018 ka kërkuar ndryshimin e udhëzimit administrativ për trajtim jashtë vendit, udhëzim të cilit iu referua si i “keq”.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj hodhi dyshimet se janë lëshuar fletëzotime për patologji të cilat nuk janë në listën për trajtim jashtë vendit. Derisa kërkoi të di më shumë rreth agjencive që po veprojnë në oborrin e objektit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“A keni referuar ju pacientë nëpër spitale personale tek ndonjë linje ashtu siç është gjithmonë ashtu siç është raportuar qoftë nga mediat apo familjarët besoj që keni ndonjë sqarim... Është hedhur dyshime se ka ndërmjetësues dhe ka organizata çka janë aty rreth e rreth Fondit që ata e bëjnë punën e vetë por cila mund të jetë ndërlidhja mes palëve që me të drejtë kërkojnë trajtim, listën e patologjike e keni reviduar ShSKUK si kërkesë ndër vite”, pyeti Zemaj.

Kurse, Plakiqi tha se kanë kërkuar që këto agjenci që janë përreth Fondit që t’i kontrolloj Inspektorati Shëndetësor, por nga ky institucion kanë thënë se nuk mund ta bëjnë këtë pasi janë të regjistruara në ARBK.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj hodhi dyshimet për disa ekzekutime të disa shumave ditëve të fundit, ku tha se në dy ditët e fundit kanë bërë ekzekutimin e 2.3 milionë euro.

E këtë e mohori drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“Qysh ka ndodhur që ditën e djeshme me u bë ekzekutimi i pagesës 186 mijë euro për pacientin. Dy ditët e fundit keni bërë ekzekutimin e 2.3 milionë eurove...Plakiqi: Tash a?...Dreshaj: po po....Plakiqi: Jo, jo....Dreshaj: Për spitalin ‘Gazi; 1.1 milion, për Olive and Instituti Olive 437 mijë e 700 euro, për Medikcal Mega 156 mijë euro”, tha Dreshaj.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se për barazimi të mbi 34 milionë eurove duhet të marrë përgjegjësi dikush.

“Një gjë është evidente që kemi  në proces të barazimit 34 milionë e 949 mijë a qëndron kjo. Neve na intereson deri ku keni qenë insistues pse ka ndodh ky lëshim kaq mos me arritur me u barazuar derisa ty po të operojnë sigurimet private zero-zero po barazohen..Kjo është drastike dikush këtu normal që do të jap përgjegjësi mos koordinimi me konzoliume prej startit kur tre mjekë nënshkruajnë e deri kur jepet një fletëzotim e kur shkon ai  tek do emra që as nuk i kisha dëgjuar, disa institucione  shëndetësore ku iu ka rënë ndërmend me gjetur”, tha Kollçaku.

Kurse, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli kërkoi të di se mbi çfarë baze ky institucion e ka futur shtetin e Kosovës në borxhe.

Plakiqi tha se ai nuk e futur në borxhe Fondin për Sigurime Shëndetësore, por këtë e ka bërë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Pikë së pari na nuk e kemi futur në borxh kërkend sepse neve na kanë futur në borxh QKUK dhe trupat e ministrisë së Shëndetësisë...Avdyli:Kush i ka nënshkruar..Plakiqi: Unë nuk nënshkruaj, nënshkruan Bordi për trajtim të jashtëm...Avdyli:Rastet urgjente kush i nënshkruan...Plakiqi: Unë“, tha ai.

Plakiqi foli edhe për shifrat e borxheve që ka Fondi për Sigurime Shëndetësore.

“Obligimet 31.12.2021 ishin 1.6 milion, ndërsa lëndët që janë në pritje për trajtime jashtë që janë me fatura janë rreth 7.7 milionë po flas edhe ne që kemi raportuar në raportet tona por edhe në Zyrën e Auditimit”, theksoi ai.

Lidhur me obligimet e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, reaguan edhe deputetët e pozitës dhe opozitës.

“Zemaj: A e ke bërë ndonjë barazim po jo,...Kollçaku: Nuk është një shkencë kaq e pamundur mos me u bë një barazim për disa shërbime që janë kryer ...Plakiqi: Jo shkencë por ti nuk e mund ta obligosh sepse nuk ki kontratë..Kollcaku: Nuk ia mundëson më asnjë pacienti me shkua në ato institucione. a nuk po do me u barazua.. Pse kemi vazhduar me iu dhënë pacientëve të njëjtë për institucionet kur nuk do me u barazua me juve”, u shprehen ata.

E debati vazhdoi tutje në mes të deputetit Armend Zemaj i cili tha se nuk po marrin përgjigje dhe përgjegjësi nga drejtori i Fondit, Fatmir Plakiqi.

“Ne nuk po marrim përgjigje as përgjegjësi...Plakiqi: Derisa baza ligjore unë do ta interpretoj këtë udhëzim nuk mundem me dal jashtë udhëzimit...Zemaj:Mos e lexo vetëm një pikë...Plakiqi: Krejt...Zemaj:Lexoj edhe përgjegjësitë tua”, u shprehen ata.

Krahas drejtori për Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi në Komisionin për Shëndetësi sot raportoi edhe drejtori i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, i cili tha se i kanë kushtuar rëndësi investimeve për të rritur shërbimet e reja në ShSKUK.

Krasniqi kërkoi që udhëzimi administrativ për trajtim jashtë vendit vetëm duhet t’u lehtësoj më tej procedurat pacientëve e jo t’i vështirësoj ato.

“Meqenëse u fol edhe për trajtimet jashtë institucioneve shëndetësore publike i kemi kushtuar rëndësi të veçantë  investimeve dhe avancimeve për të cilat pacientët në të kaluaren janë referuar jashtë institucioneve tjera publike madje ka qenë objektiva ofrimi i shërbimeve të reja....01’55Sa i përket raporteve me Fondin e Sigurimeve që i pranojmë ne për çdo muaj i analizojmë ato raporte dhe bazuar në  mundësitë buxhetore qoftë  në buxhetimin e rregullt për vitet pasuese, qoftë në rastin e rishikimit të buxhetit ne i adresojmë si nevoja të investimeve tona pikërisht në ato shërbime që referohen kemi shembull dhe janë vërejtur përmirësime”, tha Krasniqi.

Ai gjatë raportimit të tij tha se kanë arritur të kenë furnizim të qëndrueshëm me listën esenciale, kurse mungesa e mjekëve dhe infermierëve e konsideroi një shqetësim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024