Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i kërkohet që mos të ngutet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dy ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, Kurti porositet që mos të bëjë gabime në hapa për Asociacionit, derisa Serbia po e shkel vazhdimisht marrëveshjen e Ohrit. Megjithatë, opozita në Kosovë apelon ndaj kreut qeveritar që çfarëdo draft-statuti për Asociacionin fillimisht të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, në partinë në pushtet shprehen të vendosur se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress, se është ende herët për miratimin e statutit të Asociacionit, andaj Kosova nuk duhet të ngutet për zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Ohrit, derisa Serbia nuk po e zbaton të njëjtën.
Megjithatë, ai shpreh shqetësim se në bazë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pika shtatë ku flet për vetëmeneaxhim të komunitetit serb, nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese.
Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq më 2 maj në Bruksel. Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, ku fillimisht do të bëhet nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur si pikë e parë, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje bazë në Bruksel më 27 shkurt, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.