Dorëzohet në Kuvend peticioni për lejimin e 30% të mjeteve të Trustit, mbi 21 mijë nënshkrime
Lexohet për: 4 min.
293924592_5288539217926550_6002343026059301481_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit sot kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve nga të gjitha komunat. Ata kanë kërkuar nga Qeveria që t’iu plotësohet kjo kërkesë urgjente, pasi që sipas tyre gjendja ekonomike e qytetarëve është rënduar me ngritjen e çmimeve.

Adnan Jashari, iniciator i peticionit ka thënë se kërkesa është e drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo prej ndonjë partie opozitare. Ndërsa ka shtuar që presin nga Kuvendi të mos i vonojë procedurat dhe të votojë Projektligjin e Trustit.

“Kemi dërguar 21.398 nënshkrime në Kuvendin e Kosovës për nismën legjislative që ndryshon formën e sistemit pensional dhe lejon tërheqjen deri 30 për qind të Trustit... Projektligji është i njëjtë sikur herën e kaluar që lejon tërheqjen  kursimeve nga 10 deri në 30 për qind, që gjithashtu është edhe të ndryshohet forma e sistemit pensionale, të vazhdohet me një forme të re, atë ku paguan gjeneratë për gjenerata... Pasi kërkesa është drejtpërdrejt prej qytetarëve dhe jo prej ndonjë partie opozitare ne presim që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos hezitojnë dhe herën e ardhshme të votojnë pro projektligjit që lejon deri 30 për  qind të Trustit. Gjithashtu ne shpresojmë që Qeveria dhe Kuvendi mos t’i vonojnë procedurat dhe të shkohet shpejt, pasi kërkesa është urgjente, për shkak të gjendjes së rënduar me çmime të larta dhe ne presim që kjo kërkesë e jona të shkojë sa më parë në Kuvend për votim”, tha Jashari.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se kjo është kërkesë e qytetarëve, e cila tregon nevojën që t’iu mundësohet qytetarëve tërheqja e deri 30 për qind e Trustit, për shkak të krizës ekonomike. Ai po ashtu tha se sot iniciatorët do ta takojnë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.

“Kjo është kërkese dhe iniciativë e qytetarëve... Është fasionante se si këta vullnetarë dhe plot të tjerë anekënd Kosovës për pak ditë kanë arritur të grumbullojnë numër kaq të madh të nënshkrimeve. Nuk e ka bërë asnjë subjekt politik deri sot, sa herë që kanë dalë për të mbledhur peticione për çështje të caktuara, dhe kjo tregon rëndësinë e nevojës që t’iu mundësohet qytetarëve tërheqja e deri 30 për qind e Trustit, për shkak të krizës ekonomike... Projektligji do t’i dorëzohet në mënyrë solemne kryetarit të Kuvendit dhe iniciatorët do të takojnë kryetarin e Kuvendit sot në ora 13:00 dhe pastaj të gjitha këto nënshkrime sipas ligjit brenda 15 ditëve duhet të verifikohen nga Komisioni zgjedhor për vërtetësinë e tyre dhe origjinalitetin, pasi që të jenë plotësuar kushtet, pra janë më shumë se 10 mijë nënshkrime, projektligji vihet në Kuvend, kalon në Kryesi dhe shkon me mendim në Qeveri dhe pastaj kthehet në Kuvend.”, tha ai.

Sipas tij nuk duhet të keë shtyrje të këtij projektligji dhe se i njëjti duhet që sa më shpejt të shkojë për votim në seancën e Kuvendit, me qëllim të mbështetjes së qytetarëve në këtë kohë krize.

Nexhat Llumica, nga sindikata e re e KeK-ut, tha se duke e ditur krizën aktuale që po mbretëron në vend, deputetët duhet të dëgjojnë zërin e popullit dhe të jenë pro këtij projektligji.

“E dimë kohën në të cilën jemi, ngritjen e inflacionit, ngritjen e çmimeve, e dimë që po deklarohet ngritje ekonomike por nuk ka ngitje të pagave dhe realisht gjendja e qytetareve është e rëndë. Ne e dimë që ky kursim është i joni dhe jo i Qeverisë, dhe për këtë arsye ne duam t’i shfrytëzojmë këto mjete në ditët e vështira të qytetarëve e jo atëherë kur nuk kemi nevoja të mëdha, aq sa janë urgjente sot”, tha ai.

Projektligji, përmes të cilit do të mundësohej tërheqja e deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti, ka dështuar të votohet në Kuvendin e Kosovës, më 23 qershor të këtij viti.

Nga 102 deputetë të pranishëm në sallë, 44 patën votuar “për”, 57 “kundër”, dhe 1 “abstenim”.

Ky projektligj ishte iniciuar nga PDK-ja, porse ishte përkrahur edhe nga partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK. Ndërsa LVV ka dalë kundër kësaj ideje.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bnenshkrimet-per-terheqjen-e-mjeteve-te-trustit-dorezohen-sot-ne-kuvend/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024