Rreth 400 mijë euro është dëmi i shkaktuar nga sulmi terrorist më 29 nëntor 2024 në kanalin Ibër-Lepenc, teksa dëmi i synuar ishte rreth 2.5 milionë euro.
Kjo u bë e ditur sot gjatë një vizite që kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishin në ndërmarrjen Ibër-Lepenci në Prishtinë.
Derisa u pyet për dëmin e shkaktuar nga ky sulm terrorist, ministrja Rizvanolli tha se “kjo është çështje teknike”. Ndërkaq, kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka theksoi se në takim me kryeministrin Kurti kanë diskutuar për sulmin terrorist në Varagë të Zubin Potokut.
Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.
“Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë", tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sulmin e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it.