Doracaku për edukim seksual, reagon Kurti: Po bëhet luftë hibride kundër qeverisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Doracaku për edukim social, reagon Kurti: Po bëhet luftë hibride kundër qeverisë
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për çështjen e doracakëve për edukimin seksual, pas akuzave se vendosja e tyre në shkolla pa konsultim me prindërit dhe pa respekt për vlerat e shoqërisë është një tjetër dështim i Qeverisë aktuale.

Ai në një video-adresim në Facebook diskutimet e fundit mbi çështjen e përdorimit të doracakut për edukim seksual nga MASHTI e ka quajtur “fushatë të egër propaganduese, me përmbajtje manipuluese dhe një përpjekje të krijimit të kauzave të paqena.”

Kurti ka thënë se doracaku për edukim seksual asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, tekst shkollor, lëndë apo tekst për nxënës, pasi i njëjti kishte filluar hartimin në vitin 2016 kur ministër i Arsimit ishte Arsim Bajrami nga PDK, e ishte i miratuar në vitin 2020 kur ministre e Arsimit ishte Hykmete Bajrami nga LDK, dhe në gusht 2023 është publikuar në faqen e MASHTI-t dhe jo në muajin nëntor 2024.

“Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentues që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar prindërit e individët për shqetësimet e ngritura, duke thënë se do të marrin parasysh rishikimin e përmbajtjes së doracakut për edukim seksual nëse nuk përputhet me standardet e edukimit.

“Lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë. Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, Ministria e Arsimit të premten ka marrë vendim për largim nga përdorimi i doracakëve ndihmës për mësimdhënës dhe rishikimin e tyre, me ç'rast në komisionin përkatës do të jenë të ftuar palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024