Donjeta Sadiku synon medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Donjeta Sadiku synon medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare
sadiku-250526
25/05/2026 - 20:18
Linku u kopjua

Bokserja më e mirë kosovare, Donjeta Sadiku, ka qenë e ftuara e radhës në emisionin "SportCast", ku ka shpalosur objektivat e saj të mëdha për të ardhmen.

Sadiku ka folur hapur për rrugëtimin e saj drejt normës, synimet në Kampionatin Botëror, si dhe për dëshirën e madhe që ta pasurojë sirtarin e saj me medaljen që ende i mungon – atë të Lojërave Mesdhetare në Itali.

Donjeta bëri të qartë se fokusi i saj maksimal është sigurimi i normës sa më shpejt të jetë e mundur, duke kërkuar biletën direkte për në Botëror, çka do t'ia lehtësonte rrugën edhe për sfidat e tjera të mëdha.

Sadiku: Disa gjëra nuk varen prej meje

"Synimi im është që me u kualifiku direkt në Kampionatin Botëror, që besoj që kam me qenë në formën më të duhur. Senet që varen më shumë nga unë janë ushtrimet dhe përkushtimi, kanë me qenë 100 për qind. Ndonjëherë gjatë rrugës ka ndodh me u sëmurë apo diçka tjetër që nuk varet nga unë, por shpresoj të kem fat, të jem në formën më të duhur dhe të kualifikohem në Kampionatin Botëror, që me pas mendjen time më të qetë drejt Olimpiadës."

Një tjetër objektiv i madh për Sadikun mbeten Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Itali. Ajo dëshiron që këtë herë të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit.

Sadiku: Po besoj shumë që nga medalja e bronztë, ta kthej këtë në ari

"Synimi jem është të marr medalje mesdhetare në Itali. E kam mungesë të medaljes në këto lojëra, po besoj shumë në stazhin tim ta shtoj edhe një medalje të re. Po besoj shumë që nga medalja e bronztë, ta kthej këtë në ari."

Boksierja jonë potencoi se fitimi i medaljeve të tilla është një mision tejet i vështirë që kërkon punë të palodhshme, duke dërguar një mesazh motivues se pavarësisht pengesave, ajo nuk do të ndalet së kërkuari suksesin.

Sadiku: Herëdokur kam me i arrit ato medalje

"Shumë pak sportistë kanë sjellë kësi medalje, si në boks, si në xhudo e sporte tjera. Dmth që kjo është arsyeja, është shumë e vështirë. Kam mujt me siguru edhe medalje tjera gjatë këtyre viteve; gjërat nuk ndodhin gjithmonë siç ne planifikojmë, por unë nuk dorëzohem asnjëherë. Herëdokur kam me i arrit ato medalje, duhet vetëm punë për me i arrit."

Donjeta Sadiku po dëshmon se mbetet një nga shtyllat kryesore të sporteve luftarake në vendin tonë. Rruga drejt Kampionatit Botëror dhe synimi i saj për ta shndërruar medaljen e bronztë në ari në Lojërat Mesdhetare në Itali, tregojnë qartë pjekurinë e saj sportive dhe mentalitetin e një kampioneje të vërtetë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026