Ka dalë nga shtypi monografia “Jeta akademike në Mitrovicë (1961 -2023)”, e autorit, Ahmet Jashari, që është botuar nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).
Monografia është botuar me rastin e 62–vjetorit të jetës akademike në Mitrovicë si dhe 10-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Në pjesën e parë trajtohet hollësisht veprimtaria e Shkollës së Lartë Teknike (SHLT), e Fakultetit të Shkencave Teknike (FSHT) dhe e Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik (FXM) përgjatë një periudhe kohore 50-vjeçare si pjesë e Universitetit të Prishtinës (UP).
Në pjesën e dytë autori fokusohet te veprimtaria 10-vjeçare (2013-2023) e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, por gama e çështjeve që trajton është shumë më e gjerë.
Monografia për jetën akademike në Mitrovicë, përveç tjerash, është edhe një lloj mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme, qoftë ish-drejtues, mësimdhënës, studentë apo punëtorë të administratës së atyre institucioneve. Është një epokë e ndërtuar me sakrifica, meqë pengesat kanë qenë të mëdha.
Redaktor i monografisë është, PhD(c) Miftar Kurti, recensentë: Arben Veselaj dhe Milaim Shefkiu, ndërsa lektor, Alfred Beka./A. Damati