Ushtarët izraelitë kanë vrarë katër persona, ndër të cilët dy fëmijë, të gjithë anëtarë të një familje palestineze, në Ramallah të Bregut Perëndimor në Palestinë, të shtunën pasdite.
Ata, sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, u qëlluan derisa ishin në makinë, me të cilën kishin dalë të blinin rroba të reja për festën e Fitër Bajramit, që është të premten e ardhshme, më 20 mars, raporton AP, përcjellë KosovaPress.
Ushtria dhe policia izraelite thanë në një deklaratë të përbashkët, të dielën, se hapën zjarr pasi një makinë kishte përshpejtuar drejt tyre në Tammun. Sipas tyre, forcat po ndiqnin persona të dyshuar për “aktivitete terroriste” dhe se incidenti është nën hetim.
Anëtarët e familjes Odeh janë viktimat më të fundit në Bregun Perëndimor, që është njëra nga tri pjesët e Palestinës, ku të shtëna nga kolonët dhe ushtarët izraelitë kanë vrarë të paktën tetë palestinezë që nga fillimi i luftës me Iranin, më 28 shkurt.Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka regjistruar 18 palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor, që nga fillimi i vitit 2026, përfshirë tetë të vrarë nga kolonët izraelitë.