Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademajt të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën "Dalip Alshiqi", në Prishtinë tronditi vendin.
Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e kishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia kishte njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për rastin.
Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatarë me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte pas vrasjes së Liridonës.
E më vonë, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Por cila ishte arsyeja që e nxiti atë drejt kësaj vepre kriminale?
Sipas raportimeve në disa media, Naim Murseli para një kohe i kishte paguar sigurimin jetësor Liridona Ademajt në një kompani suedeze. E për këtë pretendohej se sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.
Në anën tjetër, raportet mes çiftit nuk ishin në më të mirën e tyre, diçka që mund të mos kenë qenë të informuara familjet e tyre.
Në një dokument që ka siguruar KosovaPress, konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc në një gjykatë suedeze.
Për këtë, Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të ndërprerë çështjen nga procedimi i mëtejshëm.
“Më 31 janar 2019, Liridonë Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci. Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit. Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në dokumentin që ka parë KosovaPress.
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares, e cila la pas dy fëmijë, nxiti reagime të shumta në vend, duke filluar nga krerët institucional të cilët bën thirrje që kryesit e veprës të marrin sa më parë dënimin e merituar.