Dodë Gjergji: Pjetër Bogdani ka luftuar dhe sakrifikuar shumë
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sonte në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, Dioqeza Prizren-Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, organizuan akademinë solemne për “Ditët e Bogdanit”.

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në fjalën e tij përshëndetëse ka thënë se jeta dhe vepra e Pjetër Bogdanit, do të përkujtohet përherë.

“Do të vazhdojmë ta përkujtojmë në përjetshmëri e përherë, sepse ne përmes Bogdanit kemi në radhën të parë frymën evropiane në kohën e errët të popullit tonë, e kemi shpresën e tij, sepse Bogdani dinte të shpresonte atëherë kur e shihte se s’ka shpresë. Ne mund të mësojmë të shpresojmë sot kur Zoti na i ka dhënë të gjitha këto të mira dhe me të vërtetë populli jonë e ka një të ardhme më të mirë  dhe ne mund ta rindezim frymën evropiane në zemrën e popullit të tonë dhe të ndihmojmë gjithë këtë të mirë për të çuar përpara ashtu që në një të nesërme vërtet populli dhe vendi jonë të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane - liria për të cilën Bodgani ka luftuar dhe sakrifikuar shumë është vlerë e pamohueshme dhe pasuri që nuk jepet. Paqja është vlerë e domosdoshme dhe pa të nuk askush nuk ka të ardhme”, ka thënë ai.

Ndërsa Imzot Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për jetën, ka thënë se ndihet i nderuar që ndodhet në këtë akademi me rastin e përmbylljes së Ditëve të Pjetër Bogdanit.

“Bogdani ka jetuar kohën e tij me një thellësi të jashtëzakonshme me rrethanat e asaj kohe që ishin të rëndësishme për Kishën, por edhe për Evropën e mbarë... Bogdani është me prejardhje shqiptare nga Kosova, i lindur në Gur të Hasit jo larg Prizrenit. Vinte nga një familje shqiptare e cila kishte mbetur besnike ndaj Kishës Katolike dhe krishterimit”, ka thënë ai.

Teuta Shala, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, tha se Pjetër Bogdani ishte një personalitet i cili u dallua jo vetëm si klerik, por edhe në rrafshin kombëtar.      

“Ne si Instituti kërkimor-shkencor ndjejmë obligim moral e profesional që të kujtojmë dhe kontribuojmë në lartësimin e figurave madhore të historisë sonë siç ishte Bogdani. Këtë obligim më së shumti ua kemi borxh gjeneratave që vijnë pas nesh ku me fakte dhe argumente do t’ua dëshmojmë se populli shqiptar kishte një personalitet i cili u dallua jo vetëm si klerik, por edhe në rrafshin kombëtar si udhëheqës i lëvizjes çlirimtare shqiptare në fund të shekullit 17, si dhe kishte një përgatitje të madhe në fushën e letërsisë, duke e bërë atë figurën më të shquar të letërsisë së vjetër shqiptare”, ka thënë Shala.      

Në këtë akademi një fjalë rasti për jetën e Pjetër Bogdanit ka mbajtur edhe Skender Asani, drejtor i Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

“Nderimi për figura të mëdha siç ishte Pjetër Bogdani tregon sensin civilizues të një kombi për t’u ngritur në kodin e sistemit të vlerave, pa të cilat ai komb nuk mund të zhvillohet në parametrat e botës së qytetëruar”, ka thënë ai.

Ndryshe, Ditët e Bogdanit janë themeluar më 2019 nga Imzot Dodë Gjergji me rastin e 330-vjetorit të kalimit në amshim të Pjetër Bogdanit dhe rivarrimin e tij në Kriptën e Katedrales.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024