Demokracia në Veprim (DnV) ka angazhuar 550 vëzhgues në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës për monitorimin e procesit zgjedhor, ndërsa në qendrën e thirrjeve janë të angazhuar 50 operatorë. Gjatë ditës, DnV do të mbajë gjithsej pesë konferenca për media.
Kështu u tha në konferencën e parë të organizatës në ditën e zgjedhjeve, nga po raporton gazetarja e Kosovapress-it, Argjentina Shala.
“ Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 1.6% e vendvotimeve, edhe kjo për shkak të mungesës së komisionerëve. Në disa raste vonesat në hapje lidhen edhe me mungesën e kabinave të votimit, në 2 përqind të vendvotimeve ka pasur probleme me mënyrën se siç vendosur kamerat po ashtu vlen të theksohet se 16 përqind të vendvotimeve nuk ka asnjë grua anëtare të komisionit në vendvotime. Qasja në qendrat e votimit dhe ambientit përreth tyre, çdo qytetar duhet të ketë qasje të barabartë për të mundur për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Megjithatë, për shumë persona me aftësi të kufizuara fizike, ushtrimi i kësaj të drejte vazhdon të shoqërohet me pengesa. Sipas vëzhguesve tanë, rreth 1/5 ose 19% e qendrave të votimit në Kosovë ende nuk ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për qasje të lehtë, duke kufizuar pjesëmarrjen e plotë të tyre në procesin demokratik. Ndërsa në ambientet jashtë qendrave të votimit, janë hasur materiale të subjekteve, materiale promovuese të subjekteve politike, meqenëse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e tyre brenda në perimetrin prej 100 metrash,” tha Kryeziu.