“Dituria Islame” mbush 40 vjet, i vlerësohet kontributi për edukim fetar e kombëtar
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
“Dituria Islame” mbush 40 vjet, i vlerësohet kontributi për edukim fetar e kombëtar
23/06/2026 - 14:13
Linku u kopjua
40 vjet e 426 numra.
Kaq gjatë kohë ka që del revista mujore “Dituria Islamike”.
Andaj, Bashkësia Islame e Kosovës botim i së cilës është revista, u kujdes që këtë përvjetor të saj ta shënojë me një akademi solemne, ku krahas përfaqësuesve të institucioneve fetare, akademikëve, studiuesve e bashkëpunëtorë të revistës, mysafir ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Në aktivitetin me moton “40 vjet dritë e dijes”, Naim Tërnava, myftiu i Kosovës dhe kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, e vlerësoi kontributin katërdekadësh të revistës në promovimin e dijes, kulturës islame dhe vlerave kombëtare.
Edhe kryeministri Kurti vlerësoi se revista “Dituria Islame” ka qenë pjesë e rëndësishme e hapësirës publike dhe intelektuale shqiptare, duke trajtuar tema të besimit, kulturës, historisë dhe jetës shoqërore. Ai kujtoi edhe periudhat e vështira historike, duke theksuar qëndrueshmërinë e revistës në kohën kur liria e shprehjes në gjuhën shqipe ishte e kufizuar.
“Për katër dekada me radhë, revista ‘Dituria Islame’ ka qenë pjesë e hapësirës sonë publike dhe intelektuale duke trajtuar temat e besimit, kulturës, historisë, arsimit dhe jetës shoqërore në përgjithësi. Ajo përbën një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së publicistikës fetare në gjuhën shqipe dhe një prej botimeve më jetëgjata të Bashkësisë Islame të Kosovës. E themeluar në qershor të vitit 1986, revista ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe përkushtim në shpalosjen e dinamikave shoqërore në periudha të ndryshme historike, përfshirë edhe kohën e okupimit gjatë viteve të 90-ta, kur liria e shprehjes dhe informimit në gjuhën shqipe ishte e kufizuar. Në atë periudhë, revista ‘Dituria Islame’ e ruajti dhe e vazhdoi botimin duke shërbyer si hapësirë informimi, reflektimi dhe dokumentimi për zhvillimet që e preknin shoqërinë tonë”, tha Kurti.
Ramadan Shkodra, drejtor i Kulturës dhe Veprimtarisë Botuese në BIK, tha se revista ka pasur rol të rëndësishëm në afirmimin e mendimit islam shqiptar dhe ka shërbyer si zë i dijes dhe rezistencës intelektuale.