Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë rajonale për shkencë dhe kulturë në Evropë, sot shënohet Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare.
Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot (21 shkurt) do të organizohen në suaza botërore.
Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshëm. Emigrantët gjithashtu e përziejnë gjuhën amtare me gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë që të integrohen më mirë. Megjithatë, ka shembuj, më së shumti në Australi, ku gjuhët të cilat janë "nën kërcënim" i flasin të rinjtë, tha një përfaqësues i UNESKO-s.
Tridhjetë nga gjuhët që fliten në Francë midis të cilave edhe normane dhe bretonike, janë "nën kërcënim të fuqishëm të zhdukjes".